Nga: ENIDA HIMAJ

TIRANE – Devis Muka dhe Dorian Ramaliu janë dy prezantuesit e rinj të “Fiks Fare”. Dyshja, që sezonin e shkuar ishin pjesë e “E diell”, do të vijnë që nga 5 shtatori në emisionin investigativ. Në këtë intervistë dy aktorët rrëfejnë se si e fituan besimin e Filip Çakulit për t’i besuar programin e mirënjohur. Me sa duket, nuk ka asnjë armiqësi mes tyre dhe dy prezantuesve të tjerë. Devisi dhe Dori vijojnë të mbeten miq të Fiorit dhe Gentit. Me batuta dhe shumë humor, djemtë na tregojnë se do të jenë më shumë se moderatorë në këtë format, duke ardhur me plot surpriza të reja.

Devisi dhe Dori te “Fiks Fare”; si ju erdhi ftesa?
Te “Fiksi” nuk është me ftesa, është me audicione. Midis 10 çifteve konkurruese u përzgjodh çifti ynë, pasi kemi 10 vjet ‘martuar’.
A e prisnit, kishit ambicie për këtë emision?
Ne në fakt menduam se po bëhej audicion për motin dhe donim të kishim fatin e Luanës, por qëlloi që fatin tonë e vendosi Filipi.
Si do t’ju shikojmë në këtë rol?
Unë si Dor do ta bëj pa brekë. Ndërsa unë si Devis pa sutjena. Do të thotë: do të vijmë të vërtetë, lakuriq, siç na ka bërë nëna.
Sa të vështirë e kanë dy aktorë të përshtaten në rolin e moderatorit?
“Fiksi” nuk kërkon moderatorë, por oratorë, njerëz të gojës dhe shpatës, njerëz pa limite.
Jemi mësuar t’ju shikojmë me nota humori; a do t’ju shohim me humor dhe te “Fiksi”, apo do ta ulni pak ritmin?
Do qajmë me hallet dhe do qeshim me fajtorët…
Vini në vend të ‘Doktorit’ dhe Fiorit; sa të vështirë do ta keni t’i zëvendësoni këta emra, sidomos ‘Doktorin’, që është një ikonë e këtij emisioni?
Ne nuk mendojmë se po zëvendësojmë njeri. Ne po përpiqemi të japim atë çfarë kemi përbrenda. Dashtë Zoti funksionon!
Ka hatërmbetje mes jush dhe ‘Doktorit’ e Fiorit?
Absolutisht jo, përkundrazi, respektojmë në maksimum gjithë punën e tyre.
A do jeni akoma miq me dyshen e vjetër të “Fiksit”?
Miq kemi qenë, miq jemi dhe miq do të jemi, asgjë nuk ka ndryshuar.
Përse mendoni se ju përzgjodhën ju?
Këtë gjë s’e dimë as ne vetë, ishim mirë, ishim qetë, tashmë kemi marrë një barrë të madhe, por që do ta lindim shumë shpejt.
Sa e vështirë është të bësh karrierë në televizionet e mëdha?
Ne vërtet jemi në një ndër mediat më të mëdha, por kemi gjetur edhe një familje të madhe që na e kanë bërë rrugën më të lehtë.
Si janë marrëdhëniet e Devisit dhe Dorit jashtë pune?
Kur jemi në punë, jemi si vëllezër; sapo dalim jashtë, jemi si dy motra.
Keni filluar të investigoni për padrejtësitë para “Fiksit”?
“Fiksi” nuk jemi vetëm ne, por ju sigurojmë që stafi ka përgatitur shumë ‘bomba’. Këto ‘bomba’ plasin në 5 shtator.
Si e shikojnë Devisi dhe Dori konkurrencën, “Stopin”?
Ne nuk kemi konkurrentë, por kemi kolegë. Gjithkush ka lirinë të shikojë kë të dojë.
Çfarë e diferencon “Fi-ksin”?
“Fiksi” tashmë e ka bërë diferencën me vite. Por këtë vit do të vijë akoma më ‘fiks’. Gjithçka do të jetë ndryshe.
E keni menduar dështimin, ju tremb?
Dështimin nuk e kemi menduar, se kemi qenë shumë të zënë me punë. Shihemi në datën 5, t’i ndajmë hallet bashkë e jo me komshiun.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb