TIRANE- Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka folur për shpronësimet në Shkozë, duke u shprehur se po zbaton një vendim të qeverisë së Sali Berishës, sipas të cilit hipotekohen vetëm ato shtëpi të dhëna me leje të Komitetit Ekzekutiv.

“Bashkia ka aplikuar atë që e lejon ligji, VKM e Sali Berishës e vitit 2012 për të pranuar për hipotekim të gjitha ato shtëpi të dhëna me leje të Komitetit Ekzekutiv që nuk kanë pasur shkelje”, tha Veliaj në emisionin “Opinion”, duke sqaruar se ndërtimet janë në gjurmën e projektit të vitit 1989 të qeverisë së Adil Çarçanit.

Ndër të tjera, ai tha se Partia Demokratike po hedh “lot krokodili”, pasi ka pasur çdo mundësi që t’i legalizonte ato banesa.

“Unë nuk kam qenë asnjëherë Ministër i Transporteve, Lul Basha që është sot kryetar i opozitës ka qenë Ministër i Transporteve, ka bërë edhe ligjet e ALUIZNI-t ka qenë edhe i ALUIZNI-t dhe mund t’i kishte legalizuar. Këtu jam duke të provuar faktin se Bashkia s’ka lidhje me këtë dhe dy partitë që sot janë në opozitë, i kanë drejtuar këto dy dikastere dhe i kanë bërë këto dy kontrata. Më duket e pandershme, më duket jo njerëzore dhe më duket e padrejtë që autorët e këtij projekti, sot mundohen të gjejnë fajin tek Bashkia e Tiranës, kur ne jemi këtu vetëm për të dhënë një asistencë sociale. Kështu që të sqarojmë pjesën jemi apo s’jemi të përfshirë dhe kush është i përfshirë”, është shprehur Erion Veliaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: