TIRANE– Gjatë një lidhje telefonike për emisionin ‘Studio e Hapur’ në News24, Artisti i Popullit Robert Ndrenika tha se nuk po bëhet transparent projekti për Teatrin e ri. I pyetur se pse kryeministri ka një lloj armiqësie me artistët, Ndrenika tha se mbase ai ka qenë vetë i pa talentuar dhe kërkon të marrë hak.

Pjesë nga biseda:
Ta sqarojmë pozicionin tuaj, ju jeni kundër shembjes së Teatrit, por jeni kundër projektit të ri?

Projekti i ri mund të bëhet transparent sepse nuk na kanë informuar. Nëse një teatër është 4/4 prej kësaj një pjesë e madhe është skena. Edhe ky teatër mund të rregullohet dhe nuk kërkon shumë fonde. Mund të bëhet edhe një teatër se e meriton kjo Tiranë. Pse nuk shohim Shkupin, Sofjen. Zagrebin. Lere më pastaj Londrën apo vende të tjera si janë teatrot kombëtare. Edhe Delvina ka një sallë të mirë, por është turp që Tirana të mos ketë një Teatër të mirë. Kjo është një grabitje e mbetur në tentativë. Duhet të hetojë Prokuroria.

Ju si mendoni, kush janë arsyet që ka një lloj armiqësie të kryeministrit me artistët?

Nuk e di… Ndoshta ka qenë vetë i pa talentuar dhe mbase do që të marrë hak. Tani thonë se është bërë milioner ai. Si u bë milioner për 20 vite?.

Keni kërkuar ju një takim me Ramën?

Na thirri në kryeministri dhe foli vetë se neve na preu gjuhën. Pas atij takimi nuk kemi pasur asnjë takim tjetër. Tek presidenti kam qenë vetë dhe na priti shumë mirë.

Ju çfarë do bëni nëse pr.ligji merr votat në Kuvend?

Çfarë të them… murit me kokë nuk i bie dot. Unë fjalën time do ta them, pastaj si të duan le të bëjnë. Ma do mendja se edhe populli është me mendimin tim sepse me pyesin kur dal në rrugë.

Thirrja që keni sot, mbase dhe për deputetet se ata do e votojnë?

Thirrja është që Teatrin duhet ta bëjë shteti dhe jo PPP, pasi kjo është një hile dhe bie era abuzim.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: