TIRANE – EURALIUS i ka nisur mbrëmë, në orë të vona, komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi ligjin e vettingut të ripunuar, pas ndryshimeve kushtetuese.
Pr/ligji u është vënë në dispozicion deputetëve të maxhorancës dhe opozitës, me qëllim miratimin në seancë të enjten. Ky ligj ka të bëjë me nisjen e punës së prokurorëve që do merren me procesin e vettingut.

Burime nga PD bëjnë të ditur se demokratët do të shqyrtojnë sot në detaje projektligjin për vettingun, të paraqitur nga EURALIUS. Vetëm pas shqyrtimit do të ketë një qëndrim nga PD për këtë çështje. Deri tani ende nuk është shqyrtuar projektligji, ndërsa ekspertët pritet të mblidhen gjatë ditës së sotme.

Një natë më parë kryetari i komisionit u dërgoi një e-mail deputetëve, ku i njoftoi për një mbledhje të mundshme të komisionit, por pa caktuar një orar të saktë.

XHAFAJ: JENI NJOHUR ME PR/LIGJIN QË NË 4 KORRIK
Kryetari i komisionit për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafaj tha se PD është njohur me pr/ligjin për vettingun që në datën 4 korrik dhe sipas tij, çdo pretendim se nuk ka kohë të mjaftueshme për t’u njohur me ligjin është një gënjeshtër.

“I kam dërguar një njoftim anëtarëve të komisionit, por jo thjesht njoftim për mbledhje por dhe projektin, relacionin dhe shtojcat që shoqërojnë projektin. Ligji për vettingun është një nga 7 ligjet kryesore të paketës që shoqërojnë projektin kushtetues. Është një gënjeshtër nga të gjithë ata që kanë pretenduar se nuk kanë kohë për ta njohur ligjin. Ajo që është dërguar dje janë reflektimet që i janë bërë projektligji bazuar në ndryshimet e fundit kushtetuese. Kanë qenë në dijeni që në datën 4 korrik për përmbajtjen e këtij pr/ligji. Ky projekt ligj është i gatshëm për tu votuar dhe për të kaluar në seancë plenare.”- deklaroi Xhafaj.

Xhafaj deklaroi se qëndrimi i opozitës dhe ultimatumet e saj nga studiot televizive për 7 ligjet me ndryshimet kushtetuese që u dekretuan dje nga presidenti Nishani. Xhafaj, në mënyrë të tërthortë la të nënkuptohej se po tenton të prish konsensusin e arritur më 21-22 korrik, kur u miratuan edhe ndryshimet kushtetuese. Teksa u pyet nga gazetarët në lidhje me vendimin e kryetarit të Kuvendit për të pezulluar takimet në SHBA dhe për të ardhur në Shqipëri për shkak të klimës politike, ku sipas tij po tentohet të prishet konsensusi i arritur mes palëve, Xhafaj tha se komentet e PD rendojnë klimën politike.

Nga ana tjetër Xhafaj shprehu keqardhje për mosprezencën e anëtarëve të opozitës në Komision.
“Nuk e di këtë por më vjen keq që PD i kanë ndërprerë zotit Meta vizitën. Janë shpallur nga Presidenti i Republikës, janë botuar sot në fletoren zyrtare, por çdo fuqi të ligjit duhet të jetë për datën kushtetuese. Duhet të ketë një rregull. Për tu bërë efektive kërkon 15 ditë kohë. Rëndësi ka vullneti për këtë proces. PD dhe komisionerët e saj duhet të kishin ardhur në komision dhe nuk do kishim situata të tilla paradoksale, siç është kjo telenovela që janë mësuar të shohin shqiptarët. 7 ligjet nuk u shkëputën. Ato janë të 7-ta ligjet dhe askush s’do e kishte menduar që koha e shkurtër, bëhet e pamundur që në 28 korrik të miratohen të 7-ta ligjet. Nëse opozita do kishte marrë pjesë në komision do ishte e lehtë, por nuk erdhi. Ligji për ‘Vetingun’ është ligji pararendës për reformën. Duhet të nis procesi i ‘Vettingut’ më pas duhet të nis puna. Që ky proces të filloj ndërkombëtarët do i duhet punë të zgjedhin prokurorët ndërkombëtar. Jam i shqetësuar nga deklarimet publike të PD të cilët e rëndojnë klimën politike, do ishte më mirë që ata ta përforcojnë këtë proces sesa të bëjnë deklarata. Zgjidhja më e mençur është që të ulen në komision për të ecur përpara.” theksoi Xhafaj.

BYLYKBASHI: PROCESI U KARAKTERIZUA NGA NJË QASJE ARROGANTE
Nënkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi ka reaguar në lidhje me ftesën e Fatmir Xhafajt për projektligjin e ‘Vettingut’. Ligjvënësi Bylykbashi, një nga zërat më të fuqishëm të PD-së për kontributin në hartimin e reformës në theksoi se procesi u karakterizua nga një qasje arrogante. Ndër të tjera ai theksoi se kjo qasje kushtoi dy vite.

“Lexova sot një reagim të Kryetarit të Komisionit të Reformës në Drejtësi. Normalisht dikush do të habitej pse ftesa jonë për konsensus i nervozon përfaqësuesit e mazhorancës. Në fakt “pse”-në e kupton kushdo me arsye; thjesht nuk e duan sepse u prish hesapet që nisën me kohë por që ua prishën Opozita, Komisioni i Venecias, propozimi hibrid i zj. Nuland, letra e Komisionerit Hahn dhe votimi me konsensus më 22 korrik.
Opozita është e gateshme të kontribuojë me konsensus, tani! Ekspertët e saj po punojnë me intensitet mbi draftin që Kryetari i Komisionit shpërndau vetëm mbrëmë në ora 22:20 të datës 26 korrik, ndërkohë pretendonte të bënte mbledhje sot. Imagjinoni c’transparencë ka ky proces, transparencën e errësirës, të faktit të kryer dhe afateve ultimative.
Opozita po punon për të përmbyllur ligjin e vetting-ut. Por të pretendosh që Parlamenti mund të miratojë ligjin këtë javë pa hyrë në fuqi amendamentet kushtetuese më datë 11 gusht, është një gafë që as ai që ka mbaruar juridikun pa shkëputje nga puna dhe natën, nuk e bën. Pra është provokim politik për konsum mediatik.
Ftesë: durim, gatishmëri për konsensus, vullnet pozitiv dhe respekt i kushtetutës! Sa për kujtesë, komisioni ka 5 anëtarë të mazhorancës dhe 5 të opozitës, pra është histori konsensusi dhe jo protagonizmi kryetarësh.

LETRA E PLOTE
[embeddoc url=”https://www.balkanweb.com/site/wp-content/uploads/2016/07/Scan_20160727_125819.pdf”]
Ja pr/ligji i nisur nga EURALIUS

[embeddoc url=”https://www.balkanweb.com/site/wp-content/uploads/2016/07/PROJEKT-LIGJ-per-Vetingun-.doc” viewer=”microsoft”]

7 LIGJET
7 pr/ligjet, në pritje të miratimit nga parlamenti, përbëjnë shtyllat kryesore të reformës kushtetuese dhe procesit të reformimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Në total janë rreth 40 projektligje, shtatë prej të cilave prioritare, pasi kanë të bëjnë me detyrimin për ta bërë të zbatueshëm projektligjin kushtetues, i miratuar me konsensus në parlament, më 22 korrik.

Në fund të punimeve të seancës historike të 21-22 korrikut, ku u miratua reforma në drejtësi, maxhoranca u shpreh për miratimin sa më shpejt dhe në frymën e konsensusit edhe të paketës së 7 ligjeve. Gjithashtu, u miratua shtyrja deri në muajin dhjetor e punës së komisionit të posaçëm parlamentar.

Nevoja per miratimin e shtatë pr/ligjeve, lidhet me ngritjen e disa institucioneve te reja te drejtesise, të parashikuara me miratimin e Kushtetutës së re dhe qe pa kete nuk mund të bëhen efektive. Po ashtu, miratimi i paketës së re kushtetuese krijon një vakuum institucional pasi disa institucione pushojnë së ekzistuari. Kjo do të kërkojë ngritjen e institucioneve të reja, që e kanë të domosdoshme paisjen me ligjet kuadër.

Por gjithashtu, janë disa procese siç është procesi i “vetingut” dhe ngritja e Prokurorisë së Posaçme Anti-korrupsion, Njësisë së Posaçme Hetimore etj, të cilat, kërkojnë detyrimisht miratimin e projektligjeve përkatëse për t’u vendosur në normalitet të nisjes së procesit për fillimin e punës së tyre.

(er.nu/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: