TIRANE- Qeveria shqiptare do të marrë përsipër të gjithë procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave. Këtë fakt e bëri të ditur drejtoresha e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronës, Sonila Qato.

E ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, Qato theksoi rëndësinë e projektligjit të ri për trajtimin dhe kompensimin e pronës, i cili është duke u diskuar në komisione.

“Risia që paraqet ky projektligj është fakti se qeveria merr përsipër përfundimin procesit të kompensimit dhe kthimit të pronave. Fakti qëndron se në këto vite janë miratuar akte nënligjore, të cilët kanë tentuar të japin zgjidhje këtyre problemeve, por si rezultat ende kjo problematikë është e pazgjidhur. Nuk u kemi dhënë një pritshmëri pronarëve se ku mund të drejtohen ata për të kërkuar të drejtën e tyre. Kemi pasur dhe objektivin e projektit pilot nga gjykata e Strasburgut për këtë pr/ligj.”, tha Qato.

SKEMA QË DO NDIQET
Sipas drejtoreshës së AKKP-së, projektligji përcakton qartë të gjithë metodologjinë që do ndiqet për çdo rast. “Në përbërje të këtij projektligji ka të gjitha metodologjitë, cilat do trajtohen në të gjithë pikat. Do vihen në pozita të barabarta. Pr/ligji sjell si se ne i përmbahemi vlerës së tregut për të llogaritur një pronë për kompensim. Kjo është e rëndësishme. Një tjetër element që është i kontestueshëm nga shoqata, por me rëndësi është llogaritja e tokës për kompensim sipas zërit kadastral që kemi pasur në momentin e shpronësimit.”, theksoi Qato.

Ajo shtoi se ,e kalimin e viteve sigurisht që toka ka ndryshuar statusin dhe regjimin e saj, duke u shndërruar nga tokë bujqësore në tokë truall, për shkak të zhvillimeve urbane. Në këtë aspekt projektligji llogarit se do të ishte shumë reale llogaritja e zërit kadastral në momentin kur pronarëve u është hequr e drejta e pronës, tokës, me çmimin aktual që ka harta e vlerës së pronës.

Pra nëse gjyshit i kanë marrë 500 metër tokë bujqësore që ka hyrë brenda unazës, trashëgimtarët do të kompensohen sipas çmimit të tregut për tokë bujqësore?
Saktë! Sipas studimeve që kemi bërë ne me rrethin e Tiranës, kemi vënë re se 70% e të gjitha vendimeve për kompensim që presin të përfitojnë nga ky pr.ligj janë prona që nuk u ka ndryshuar zëri kadastral. Që kanë qenë tokë truall dhe qëndrojnë të tilla. Pra u realizohen 100% pritshmëria që ata kanë pasur. Vetëm 26% e këtyre vendimeve preken nga ndryshimi i zërit kadastral dhe këtu qëndron efekti i kësaj reforme. Përballë një efekti shumë të rëndësishëm që ka marrë qeveria, duke parë se çështja e pronës është një nga prioritetet e BE-së, ajo çfarë i kërkohet Shqipërisë është që të marrë masa efektive që brenda një afati të arsyeshëm të mund të realizohet një proces efektivisht i plotë për kompensimin e pronarëve. Pra një kompensim i drejtë të ndërmerret për një afat të arsyeshëm.

Si mund t’i shkohet këtij procesi deri në fund, sa keni hapësira?
Është bërë një fizibiletet i gjithë situatës së krijuar. Agjencia për herë të parë ka bërë regjistrin elektronik të pronave dhe ka bërë transparencë. Ku përligj merr përsipër t’i japë zgjidhje efektive kësaj problematike.

Metodoligja e re është në argument i sigurt që vlera që do të përftohet në fund të 26 mijë vendime do të jetë një vlerë që mund ta përballojë qeveria. Ne kemi një fond fizik prej 23 mijë hektarësh tokë bujqësore, që ka një vlerë të përafërt prej 33 mld lekësh. Ndërkohë që trashëgojmë edhe një fond fizik, pyjor dhe kullosor. Ky fond llogaritet në 50-55 mld lekë.

Kthimi nuk është hequr si koncept, ruhet. Të gjitha pretendimet e paraqitura nga ana e të interesuarve që pretendojnë sipërfaqe toke për njohje pronësie dhe për të vendosur se nëse kjo pronë do të kthehet apo kompensohet e ruajnë të drejtën për kthimin e pronës, aty ku prona është e lirë dhe nuk është për interes publik. Është një kapitull i veçantë brenda këtij projektligji.

Ju thatë që po shkojmë drejt një harte elektronike, kur mund ta kemi këtë hartë?
Shumë shpejt, gjatë këtij muaji Agjencia fillon me krijimin e hartës digjitale, duke hedhur grafikisht të gjitha vendimet e marra gjatë këtij procesi. Për herë të parë do kemi një hartë digjitale të mënyrës së përfitimit të pronësisë nëpërmjet procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave.

(ed.me/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: