ProCredit Bank Shqipëri është institucioni i parë financiar pjesëmarrës në Programin për Mbështetjen e Agrobiznesit në Shqipëri. Kjo skemë është një produkt inovativ që do t’i mundësojë bankës ProCredit të rrisë huadhënien në këtë sektor duke mbështetur financimin e agrobizneseve shqiptare.

ProCredit Bank Shqipëri është e fokusuar në sipërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME) dhe klientët e agrobiznesit. Ajo është pjesë e Grupit ProCredit, i cili drejtohet nga kompania mëmë me seli në Frankfurt, ProCredit Holding.

Bujqësia është një sektor kyç i ekonomisë shqiptare; ai siguron punësim për më shumë se 50 për qind të popullësisë së zonave rurale dhe përbën rreth 20 për qind të PBB-së së vendit. Pavarësisht kësaj, sektori mbetet shumë pak i shërbyer nga institucionet financiare, kur kreditë për agrobiznesin përbëjnë vetëm 2 për qind të kreditimit total për ekonominë.

Programi i ri për Mbështetjen e Agrobiznesit në Shqipëri, i prezantuar nga BERZH me mbështetjen e Qeverisë Shqiptare, e adreson këtë sfidë duke rritur mundësitë për financim për agrobizneset në vend nëpërmjet linjave të dedikuara të kreditimit apo duke ndarë riskun e huadhënies në sektorin e bujqësisë.

Perveç instrumentave financues, ky program përfshin edhe asistencë teknike për ngritjen e kapaciteteve në institucionet financiare pjesëmarrëse për të zgjeruar huadhënien e tyre në këtë sektor, si edhe shërbime këshillimore për agrobizneset huamarrëse nëpërmjet programit të BERZH të Këshillimit për Bizneset e Vogla, për të ndihmuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në këtë sektor të rrisin performancën e tyre në një larmi fushash dhe të bëhen më të kreditueshme. BERZH vazhdon gjithashtu të mbështesë institucionet shqiptare me asistencë teknike për ngritje kapacitetesh dhe me ndërmarrjen e iniciativave për reforma specifike, në koordinim me partnerë të tjerë zhvillimi.

Henry Russell, Drejtor i BERZH për Institucionet Financiare në Ballkanin Perëndimor deklaroi: “Ne jemi shumë të lumtur të nënshkruajmë këtë marrëveshje të rëndësishme sot. Ajo do të çlirojë financime, të cilat janë shumë të nevojshme për sektorin e bujqësisë në Shqipëri dhe do të kontribuojë në ngushtimin e hendekut të madh të burimeve të financimit, si në monedhën vendase dhe në atë të huaj. Në të njëjtën kohë, ky program do të mbështesë zgjerimin e ProCredit Bank Shqipëri si një huadhënës i rëndësishëm ndaj bizneseve vendase, veçanërisht agrobizneset.”

Adela Leka, Drejtuese e Drejtorisë Ekzekutive të ProCredit Bank Shqipëri, shtoi: “Ne e njohim rëndësinë jetike që ka bujqësia për ekonominë shqiptare. Si një bankë e specializuar për bizneset SME, ne jemi të përkushtuar të mbështesim investimet e reja prej tyre në bujqësi. Ne përpiqemi t’u përgjigjemi sfidave të tyre dhe mundësojmë atyre të investojnë në teknologji moderne, të ndërmarrin projekte të eficencës së energjisë, dhe të zgjerojnë pjesën e tyre të tregut. Ne i konsiderojmë këto si faktorë kyç për zhvillimin e ardhshëm, jo vetëm të bizneseve, por në mënyrë indirekte dhe ekonomisë ku ato operojnë.”

ProCredit Bank, si banka e parë në vend që ka ofruar shërbime financiare të konceptuara enkas për agrobizneset vazhdon të ketë një rol kyç në ofrimin e shërbimeve bankare asistencës teknike për këto biznese në tregun shqiptar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: