* Kabo: Me shkrim dore prej dorës së saj

Nënë Tereza do të Shenjtërohet ditën e dielë më 4 shtator, vent që do të mbahet në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan.
Në vigjile të Shenjtërimit të Nënës Shqiptare, profesori i nderuar Përparim Kabo sjell në vëmendje letrat origjinale që Nënë Tereza i ka dërguar në vitin 1989, Presidentit të atëhershëm, Ramiz Alisë.

Kjo letër që shihni dhe në fotot që ka publikuar Profesor Kabo, është një kopje e letrës së Nënë Terezës. Është shkruar më 16 gusht 1989, dhe i drejtohet Ramiz Alisë, Presidentit të Shqipërisë së asaj kohe.
Letra e Nënë Terezës është e shkruar në letër të thjeshtë, të bardhë me vija jeshile. Në faqen e parë ka 18 rreshta ndërsa në të dytën (verso) ka 17 rreshta, duke llogaritur edhe firmën ne fund të faqes. Të 35 rreshtat janë të ndarë në katër kryerreshta. Shkrimi autograf i Nënë Terezës është i qartë dhe lexohet pa vështirësi.

Nënë Tereza i drejtohet presidentit Ramiz Alia pas vizitës disaditore që kishte bërë në Shqipëri (në “vendin tim”). Ajo shprehimisht shkruan: “Pas shumë vjet lutjesh dhe dëshire për të vizituar vendin tim (…), më në fund i miri Zot ma dha këtë dhuratë të bukur të shoh popullin tim”. Kjo shprehje tregon dashurinë e madhe që kishte e Lumnuemja Nëna Terezë për Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Letra tregon qartë për emocionet e mëdha të cilat ende nuk janë shuar pas kësaj vizite dhe ato janë pasqyrim i mallit e dashurisë, respektit dhe nderit që ajo ndjente thellësisht në shpirt për popullin e saj dhe familjen e saj që i përkiste këtij populli.

Në vijim, Nënë Tereza i shpreh dëshirën Presidentit të Shqipërisë së asaj kohe, z. Ramiz Alia, që të sjellë në Shqipëri “motrat e mia, Misionaret e Bamirësisë”, të cilat ndodhen në shumë vende të ndryshme të botës. Është shumë domethënëse shprehja e saj “kjo e jona nuk është çështje biznesi, as politike”, duke rikujtuar kështu përkushtimin e saj për t’u ndihmuar “pleqve, të vetmuarve dhe atyre që u mungon dashuria”.

Ndërsa në fund me çiltërsi dhe sinqeritet të madh i shkruan “Zotit President të vendit tonë të dashur Shqipëri” një fjali e cila edhe sot ruan aktualitetin dhe paraqet virtytin e lartë njerëzor që e karakterizoi tërë jetën këtë bamirëse të madhe: “Unë nuk kam as ar e as argjend, por juve do t’ju jap motrat”.

Menjëherë pas kësaj letre autograf të Nënë Terezës pason përgjigjja e presidentit Ramiz Alia, e shkruan më 2 shtator 1989. Letra është e daktilografuar, po në fund, në anën e majtë mban firmën origjinale autografe të Ramiz Alisë. Në këtë përgjigje, presidenti Alia i shkruan me një ton dashamirës duke i kujtuar se “Njerëzit tanë njohën nga afër bashkatdhetaren e tyre fisnike që u ka dhënë ‘besën’ të varfërve”, gjë që për kohën kur u shkrua letra ishte një përgjigje shumë domethënëse. Por njëkohësisht, duke i rikujtuar se e mirëkupton dëshirën e saj për të pasur motrat në Shqipëri, ai e refuzon kërkesën e saj duke u shprehur se “shqetësimi i juaj për njerëzit e varfër përbën detyrën humane e patriotike të mijëra e mijëra djem e vajzave të popullit tonë, që si mjekë e infermierë (…) i janë përkushtuar shëndetit e mirëqenies së njerëzve tanë”. Një përgjigje e tillë ishte refuzuese për pranimin e “Misionareve të Bamirësisë” në Shqipërinë e asaj kohe.

Me anë të një dekreti, Nënë Tereza nderohet me “Urdhrin Naim Frashëri të Klasës I” më 1 dhjetor 1990.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: