TIRANE- Ish-ministri i LSI-së, Dritan Prifti u nda mbrëmjen e kësaj të enjteje nga jeta pas një beteje të gjatë me leuçeminë, por në politikë mbahet mend për shumë ngjarje të bujshme.

Fillesat e tij në politikë datojnë në vitin 1997 kur për një periudhë dy vjeçare, deri në 1999 ishte shef kabineti, fillimisht i Ministrit të Financave dhe më pas i ministrit të Punës dhe Cështjeve Sociale. Në vitin 2000 ai mori drejtimin e KESH-it dhe siç shkruante në CV-në e tij drejtoi një kompani me 11 punonjës duke e kthyer nga 30 milionë dollarë humbje në 50 milionë dollar fitim. Performanca e mirë në krye të KESH duket se ndikoi në vendimin për tu emëruar pak muaj më vonë në pozicionin e shefit të kabinetit të kryeministrit.

Në vitin 2001 ai u zgjodh deputet i Partisë Socialiste, por pas dy vjetësh e braktisi këtë parti për tiu bashkuar Ilir Metës në Lëvizjen Socialiste për Integrim. Përpara se të shkonte në LSI ai drejtoi nga viti 2001 deri në 2002 ministrinë për Energjetikën.

Prifti njihet edhe si njeriu që hodhi gurin e themelit të bashkëpunimit dhe koalicionit PD-LSI pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, por një vit më vonë u shkarkua si ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës. Gjatë kohës që ishte ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës, Prifti u akuzua për përfitime të paligjshme të cilat kanë pasuruar ministrin me një shumë prej 1.8 milion eurosh vetëm në një vit.

Nga një njeri i besuar ai u kthye në armikun më të madh të Ilir Metës kur në vitin 2011-të në media u publikua një video e nxjerrë një laptopi personal i Ministrit të Energjetikës, me të cilën u akuzua për një aferë korruptive Ilir Meta në atë kohë zv.kryeministër në qeverinë e Sali Berishës me të cilin ishte në koalicion. Ndonëse ekspertët vërtetuan se video ishte e montuar dhe Ilir Meta u shpall i pafajshëm edhe nga gjykata, kjo video u përdor nga opozita e kohës dhe Edi Rama për demonstratën e 21 Janarit.

Prifti e mbylli mandatin në vitin 2013, për tu angazhuar më pas me aktivitetin e tij privat, së bashku me Tom Doshin.

Ndërsa në 2015 ai bëhet sërish protagonist në media, por këtë herë për publikimin e disa fotove të shkëputura nga një video, ku ai shihet duke kryer marrëdhënie seksuale në një hotel me një ish-vartësen e tij në ministri ministrisë.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb