VLORE- Të tjera detaje dalin në dritë nga krimi i dyfishtë që tronditi sot Vlorën. Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Gjormë, ku autori i krimit, Artion Shenaj ka vrarë me armë zjarri shokun e tij Mariglen Memajn, e më pas është vetëvrarë me të njëjtën armë.

‘BalkanWeb’ mëson se autori i ngjarjes kishte vetëm tre ditë që ishte kthyer nga Franca, ku sipas burimeve ka qenë në burg me precedentë penale për vjedhje. Memaj ishte prind i dy fëmijëve, një djali dhe një vajze, ndërsa autori ishte beqar. Sakaq, autori njihej si person me probleme mendore.

Gazetari Enrik Mehmeti bën me dije për ‘BalkanWeb’ se Memaj kishte qenë emigrant në Itali si dhe i burgosur në këtë shtet për lëndë narkotike, por më pas ishte kthyer të jetonte në fshatin e tij. Burime zyrtare raportojnë se ka dyshime që konfliktet mes tyre kanë qenë të vjetra dhe se mendohet që ka të bëjë me pazaret e drogës, ndërkohë që të dy palët kanë qenë dhe fqinj me njëri-tjetrin.

SI NDODHI NGJARJA
Mariglen Memaj, rreth 35 vjeç ka qenë duke pirë kafe në qendër të fshatit kur i është afruar Artjon Shenaj, 33 vjec dhe pa paralajmërim ka goditur në drejtim të tij. Si pasojë e breshërisë së plumbave Memaj ka ngelur i vdekur në vend. Pas disa minutash autori i ngjarjes ka drejtuar armën e krimit nga vetja dhe i ka dhënë fund jetës në shtepine e xhaxhait.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: