Kryeministri Edi Rama zyrtarizoi sot katër ministrat e rinj të qeverisë së tij, që zëvendësojnë Saimir Tahirin, Ilir Beqajn, Blendi Klosin dhe Bled Çuçin.

Por kush janë ata. Nga Fatmir Xhafaj tek Olgerta Manastirliu njihuni me një profil të shkurtër të të zgjedhurve të Ramës për të çuar para punët e qeverisë.

Mësohet se tre prej tyre, Fatmir Xhafaj, Olta Xhaçka dhe Eduard Shalsi, që të tre deputetë të Partisë Socialiste pritet të mos e lënë mandatin, për shkak të zgjedhjeve që janë shumë afër.
minisrat
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafa-(Në vend të Saimir Tahirit)
Fatmir Xhafaj lindi më 17 maj 1959.
Ka kryer studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave Politiko – Juridike, dega Drejtësi.
Gjithashtu ka kryer kualifikime brenda dhe jashtë vendit në periudha të ndryshme në fushat e konsulencës ligjore, menaxhimit dhe administratës publike. Në vitet 1982-1986 ka qenë jurist në sistemin e drejtësisë.
Nga viti 1999 deri në vitin 2001 ka kryer profesionin e lirë si jurist. Në veprimtarinë politike nga viti 1997 deri në vitin 1999 ka qenë sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave.
Ka mbajtur 2 poste ministrash në qeverinë e Nanos, atë të ministrit të Rregullimit të Territorit dhe Turizmit në harkun kohor shkurt-shtator 2002 dhe atë të ministrit të Drejtësisë në vitet 2003-2005.
Xhafaj është zgjedhur deputet i Partisë Socialiste në katër legjislatura dhe është kryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Së fundmi ka drejtuar edhe Komisionin për Reformën në Drejtësi.

Ministrja e Mirëqenies Sociale Olta Xhaçka-(Në vend të Blendi Klosit)
Olta Xhaçka lindi më 25 dhjetor 1979 në Tiranë.
Është diplomuar për Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, Master of Arts (MA), për Administrim Publik nga Clark University, USA. Diplomuar me titull nderi. Në vitin 2006 ka qenë hartuese projektesh për organizata joqeveritare në Amerikë. Ka qenë pjesë aktive e shoqërisë civile, kryesisht në fushën e të drejtave të njeriut dhe mirëqeverisjes. Për disa vite ka qenë pedagoge e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në një universitet privat në Tiranë.
Është zgjedhur deputete e Partisë Socialiste në dy legjislatura dhe ishte anëtare e Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, derisa u zgjodh minstre.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirli- (Në vend të Ilir Beqajt)
Ogerta Manastirliu mbante postin e drejtores së Përgjithshme të QSUT-së. Ajo ka qenë edhe drejtoreshë e Strehimit në Bashkinë e Tiranës në kohën që drejtonte Edi Rama.
Kujtojmë se Manastirli është në mesin e atyre drejtorëve që dhanë dorëhejqen në grup, sapo Lulzim Basha u shpall kryebashkiak në vitin 2011.
Shkollimi i saj nuk ka të bëjë me shëndetësinë por me menaxhimin dhe çështjet sociale.

Ministri i Pushtetit Vendor Eduard Shalsi- (Në vend të Blendi Çuçit)

Eduard Shalsi lindi më 1 prill 1968 në Korçë. Ka kryer studimet e larta në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega Biologji-Kimi.
Gjithashtu është diplomuar si Trainer in Basic Bank Economy, nga Germany & ISAP.
Sa i përket veprimtarisë profesionale, Shalsi ka punuar në Tirana Bank nga viti 1996 deri në vitin 2003. Në vitet 2003-2004 ka qenë drejtor i Përgjithshëm i INSIG sh.a.
Sa i përket karrierës politike ka mbajtur postin e drejtorit të Kabinetit të kryetarit të Bashkisë, Në vitin 2004 fillon punë në Bashkinë e Tiranës, fillimisht si Shef Kabineti i Kryetarit të Bashkisë e më pas si Nënkryetar.
Shalsi është zgjedhur deputet i Partisë Socialiste në legjislaturën e tetëdhe ishte Kryetar i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, para se të emërohej si ministër.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: