Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore miratoi në datën 22 shkurt 2018 një shtesë financimi për projektin e Burimeve Ujore dhe Ujitjes në Shqipëri. Financimi prej 26.8 milionë dollarë është shtesë i projektit ekzistues që është zbatuar ndër vite në vendin tonë me përgjegjëse Ministrinë për Bujqësinë. Totali i financimit për të dyja shkon në rreth 52 milionë USD. Termat e financimit të kësaj kredie përkufizohen nga një maturitet 25 vite dhe një periudhë “grace” (koha pas së cilës nis pagesa) prej 7 vitesh. Financimi shtesë sipas njoftimit të Bankës Botërore do të garantojë mbështetje për të përmirësuar procesin e ujitjes dhe burimet ujore duke përfshirë investime shtesë dhe aktivitete që rrisin ndikimin e projektit origjinal. Kredia e re pritet të bëhet efektive në datën 30 prill 2018 dhe mbyllet në 31 maj 2020.

Statusi i projektit që nisi në 2012
Projekti i Burimeve Ujore dhe Ujitjes u aprovua në 29 nëntor të vitit 2012 dhe u bë efektiv në maj 2013. Sipas kalendarit duhet që të mbyllej në datën 31 maj 2018 por shtesa që ju bë së fundmi e ndryshon këtë afat. Projekti e nisi punën me një financim prej 21 milionë dollarësh nga IBRD dhe 3.88 milionë dollarë si grante të bashke financuara nga Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar.
Në vetvete projekti kishte si objektiv vendosjen e një kuadri strategjik për menaxhimin e burimeve ujore në nivel kombëtar dhe për basenet Drin-Buna dhe Semani. Po kështu edhe përmirësimi në mënyrë të qëndrueshme e performancës në sistemet e zgjedhura të ujitjes. Projekti u ristrukturua në dhjetor 2015 me një urdhër të veçantë që reflektoi transferimin e menaxhimit të burimeve ujore nga Ministria e Mjedisit tek Ministria e Bujqësisë si dhe rifreskoi kuadrin e rezultateve.

Komponentët e projektit dhe situata aktuale
Komponenti i parë është ai i rehabilitimit të digave, sistemeve të kullimit dhe ujitjes me një alokim aktual prej 29.38 milionë eurosh. Në komponentin e dytë përfshihet mbështetja institucionale për ujitjen dhe kullimin me një total prej 0.87 milionë USD të alokuara. Komponenti i tretë përbëhet nga mbështetja institucionale për menaxhimin e burimeve ujore me një alokim aktual prej 3.88 milionë dollarësh dhe i fundit është komponenti për mbështetjen e zbatimit me një alokim aktual prej 0.68 milionë eurosh./ Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: