NGA ARTAN FUGA*

Pse na ndodhin ngjarje pas Kongresit???
Pse dilni jashtë teme merr jahu???

Me rastin e këtij konkursit për ato karabinatë që duan të ndërtojnë midis Gardës dhe Universitetit Politeknik, përsëri shoh individë, urbanistë, qytetarë aktivë, që megjithë respektin, më duket se kanë dalë fare nga tema, na çojnë në rrugë pa krye, bëjnë show-n e radhës dhe nëpër televizione kanë kaluar në një rjedhje orale që vapa e bën të pandalueshme.

Nuk është çështje pallatesh, arkitekture, urbanizmi.
Pse o ke nostalgji se haje byrek aty dhe nuk duhen bërë ndërtime???
Bën vrap aty??? Ik o gremisur bridh andej nga Kopshti Zoologjik, pse pistë vrapimi është urbanizmi?
Paske kujtime nga ajo zonë???
Po kujtimet e tjera çfarë i bëre??? Jo po hajde kthehemi te shpellat e majmunëve për të ruajtur trashëgiminë e kujtesës tënde!
Nuk të pëlqen ajo arkitekturë??? Po mund të gjenden budallenj që u pëlqen. E cfarë do të thuash me këtë?
Prishet parku si mushkëria e Tiranës. Çfarë mushkërie mo, ato pemë janë tharë, vetëm ngjyrë të gjelbër kanë, as ujë, as oksigjen as gjë pe gjëje…
Problemi është tjetër, mo, futuni në ndonjë hije dhe arsyetoni pak.
Problemi në radhë të parë është politik.
Pse i bëjmë qytetarët budallenj???
Pse Bashkia e deritanishme nuk tha asnjë fjalë?
A ka marrëveshje qoftë edhe të heshtur mes Bashkisë dhe Qeverisë?

Zoti Peleshi frymëzonte shoqërinë civile për të protestuar kundër ndërtimeve te diga, tani qenka kryetar jurie për ndërtime te Garda.
Hahahaha, cfarë drame, komedie dhe tragjizmi!!!
Tallje me qytetarët.
Kjo ështe cështja.
Skandali është moral dhe politik.
Këtu duhet insistuar.
Si kandidati fitues i postit të Kryetarit të Bashkisë nuk tha asnjë fjalë gjatë fushatës elektorale?
Kur u mor vendimi për ndërtime atje?
Cfarë janë këto kabinete të huaja mercenare arkitekture që i ftojnë sa herë duan të bëjnë ndonjë të pabërë?
Kush i organizon këto konkurse fshehurazi që na i plasin në mes të vapës?
Pse nuk na informojnë në momentin kur ne kemi votën në dorë, por atëhere na përkëdhelin dhe pasi hedhim votën na e fusin pas krahëve.
Si në kohën kur Partia e hapi ceshtjen e Mehmet Shehut pas kongresit, pasi delegatët shkuan në shtëpi.
Pse na ndodhin ngjarjet gjithmonë pas Kongreseve ne?
Këtu është problemi, lërini historitë me urbanizëm e arkitekturë! Ato janë krejt relative, nuk na cojnë kund.
Si mundet që kryetar jurie të jetë një pushtetar??? Apo vetë shkop vetë zot???
Di zoti Peleshi të jetë profesionist për të vlerësuar edhe arkitekturë???
Po këta i dinë të gjitha vetë, edhe pushtetar, edhe arkitekt, edhe orator, edhe gjithçka.

Pse tallen me ne???

Problemi është se ne nuk kemi pushtet si qytetarë, nuk ka demokraci lokale, ne na tallin si qytetarë tamam pas zgjedhjeve, nuk është problemi te arkitektura, me thënë të drejtën ajo nuk mu duk keq, as te ekologjia, Parku ka vdekur.
Pemë të lodhura gjithë sëmundje…
Qyteti është i sëmurë moralisht.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb