Qeveria shtyn deri në fund të vitit 2017 vlefshmërinë për bonot e privatizimit. Letrat me vlerë të shpërndara në vitin 1995 do të jenë të vlefshme edhe për një vit. Bonot e privatizimit përfshihen në procesin e pagesës së parcelës ndërtimore për ndërtimet pa leje që janë në proces legalizimi.

Vlefshmëria e letrave me vlerë përfundoi në fund të vitit 2016, por vendimi i djeshëm shtyn deri në datën 31.12.2017 vlefshmërinë e tyre. Vlera e tyre në treg nuk arrin më shumë se 20% të vlerës së emetimit.

“Afati i përdorimit të bonove dhe lekëve të privatizimit është deri më 31.12.2017”, thuhet në projektligjin e qeverisë.

Sipas ligjit në fuqi, bonot e privatizimit janë të tregtueshme midis individëve vendas dhe të huaj si dhe janë të vlefshme edhe në procesin e privatizimit të objekteve shtetërore. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, në total janë emetuar 74.9 miliardë lekë bono privatizimi, prej të cilave u janë shpërndarë publikut 51.2 miliardë lekë.

Nga këto janë përdorur deri tani në proces privatizimi 10 miliardë lekë, ndërkohë që mbeten të shpërndara dhe të papërdorura 41 miliardë lekë të tjera. Në procesin e privatizimit masiv u përdorën vetëm një pjesë e vogël e tyre, 14.59 për qind e totalit ose 21.35 për qind e bonove të privatizimit të shpërndara.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb