TIRANE- Deputetja e Partisë Demokratike, Valentina Duka, ka reaguar për çështjen e Teatrit Kombëtar. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Duka apelon për mosprishjen e Teatrit, duke u shprehur se godina ekzistuese është ndër të paktat që ka mbetur në Tiranë si vlerë historikë.

Duke u ndalur tek projektligji i ri që po diskutohet së fundi, deputetja demokrate thotë se me miratimin e tij i hapet rrugë prishjes së godinës ekzistuese dhe ndërtimit të disa kullave, “që do i marrin frymën Tiranës”.

Sakaq, ajo shprehet se “janë të vendosur për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar”.

REAGIMI I PLOTE

TË VENDOSUR PËR MBROJTJEN E TEATRIT KOMBËTAR!

Duke manifestuar një kokëfortësi mahnitëse në qëndrimet e saj destruktive, qeveria Rama ka sjellë në Parlament një projekligj të ri me titullin e gjatë “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”. Ligji në fjalë i hap rrugën prishjes së godinës ekzistuese të Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin në vend të tij jo vetëm të godinës së “teatrit të ri”, por edhe të disa kullave që do t’i marrin frymën qendrës së Tiranës.

Artistët kanë kohë që vendosmërisht po mbrojnë Teatrin Kombëtar, këtë institucion të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore, nga sjelljet e papërgjegjshme e shkatërruese të pushtetarëve të sotëm. Mesazhet e forta, aktivitetet, protestat e përditëshme, zëri kumbues, artikulimet poetike në mbrojtje të tempullit të tyre, po jehojnë në mbarë shoqërinë shqiptare, ndaj dhe opozita po e mbështet fuqishëm kërkesën legjitime të artistëve.

Unë e kuptoj shqetësimin e një pjese të aktorëve të cilët mezi presin të punojnë në një teatër normal si homologët e tyre europianë, sepse godina ekzistuese qëllimisht është lënë në mëshirën e fatit duke u katandisur në qëndër brejtësish dhe insektesh. Prandaj ajo godinë duhet të rikonstruktohet që të bëhet e përshtatshme si për aktorët ashtu dhe për ne si spektatorë, siç ndodh në të gjitha vendet e emancipuara dhe të civilizuara. Por kurrësesi të shkatërrohet, të humbasë pa nam e nishan vetëm e vetëm që në emër të ndërtimit të një teatri modern, të kënaqet lakmia e pushtetarëve për të shumëzuar fitimet e tyre nëpërmjet shtimit të kullave të reja qendrës së kryeqytetit. Kjo nuk duhet lejuar në radhë të parë nga komuniteti i artistëve. Me siguri ata do të jenë të bashkuar dhe në krye të përpjekjeve për ruajtjen e kësaj ndërtese të shenjtë si pjesë e memorjes sonë historike. Ne do të jemi përkrah tyre në këtë kauzë që nuk është vetëm e tyrja por e të gjithëve.

Projekti i paraqitur nga studioja daneze disa muaj më parë ishte një projekt futurist, që mund të jetë pjesë e Tiranës 2025, por jo tek vendi ku sot është godina e Teatrit Kombëtar. Projekti i ri e ka vendin tek Bulevardi i Ri ku mund të zhvillohet Tirana moderne. Edhe në Nju York është duke u ndërtuar një teatër modern, por jo duke zvendësuar morinë e teatrove klasikë që ky qytet i ka trashëguar nga të parët e vet.

Tirana jonë e dashur ka sot pak godina që i takojnë historisë së qytetit. Ato pak që kanë mbetur, duhet t’i ruajmë si sytë e ballit. Edhe kur ato janë shumë të amortizuara, t’i restaurojmë me kujdes dhe kështu t’ua lëmë pasardhësve. Ne e kemi thirrur shumë herë në dëgjesë në komisionin e Edukimit dhe Medias ministren e Kulturës, e kemi thirrur edhe për seancën e nesërme, por ajo del të jetë “e zënë”!!!
Unë shpreh bindjen se lëvizja e protestës e artistëve do të realizojë objektivin e vet për mbrojtjen e godinës së teatrit. Duke e shpëtuar nga prishja godinën e teatrit, ne do të mbrojmë historinë e kryeqytetit, do të mbrojmë vetë kryeqytetin nga “pushtimi” i kullave që rëndojnë gjithnjë e më tepër jetën tonë të përditshme. Përndryshe brezat e ardhshëm nuk do të na i falin mëkatet e sotme!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb