Prokuroria e Katanias ka mbyllur sot zyrtarisht hetimet për dosjen ‘Habilaj’ ku ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri nuk bën pjesë tek personat që do të hetohen. Media italiane ‘Meridio news’ shkruan se janë persona që do të hetohen, të cilët drejtoheshin nga Moisi Habilaj, i cili ndodhet i në burg në Itali.

Mes personave që do të hetohen janë; shqiptarë që janë pjesë e hetimeve në përfundim të shqyrtimit të kësaj dosjeje, përveç Moisi Habilajt, janë Maridian Sulaj dhe Fatmir Minaj. Moisi Habilaj ndodhet në burgun e Piazza Lanza. Italianët gjithashtu luajtën një rol themelor në biznesin sicilian të grupit ballkanik. Antonino Riela, Vincenzo Spampinato dhe Angelo Busacca janë ato që konsiderohen me rëndësi më të madhe. Ndërkohë në listë nuk janë Florian Habilaj, vëlla i Moisiut, Sabaudian Celaj, Armando Sulaj dhe Seiti Nezari.

Kujtojmë se emri i ish-ministrit Tahiri doli në skenë pas përgjimeve që u publikuan në mediat italiane, gjatë bisedave që flisnin trafikantët e grupit ‘Habilaj’. Fill pas publikimit të lajmit në mediat italiane e më pas tek ato shqiptare, ngjarja solli lumë reagimesh në skenën politike dhe më gjerë. Prokuroria e Krimeve të Rënda, bazuar tek provat e prokurorisë së Katanias kërkoi që Kuvendi t’i jepte ‘ok’ vendimit për t’i hequr imunitetin Tahirit si dhe ta arrestonin atë. Por pas seancave dëgjimore, kjo kërkesë nuk u pranua nga PS. Kjo e fundit pranoi hetimin e deputetit, ndërsa e hoqi atë nga të gjitha strukturat e partisë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb