Prokuroria për Krime të Rënda kërkon caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për 4 shtetas, të dyshuar se kryerjen e veprës penale të “trafikimit të lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive”. Ata janë Dritan (Febjus) Dauti, Dashnor Dumani, Asllan Plaku dhe Bledar Plaku.

Këta persona u arrestuan në flagrancë nga ana e forcave të Policisë së Shtetit në zonën e Shën Vlashit, në Durrës, pas një hetimi nën drejtimin e Prokurorisë për Krime të Rënda, në datën 17.01.2015.

Hetimi ka nisur në bazë të informacioneve të siguruara nga ana e Policisë së Shtetit. Sipas materialit të referuar, janë siguruar informacione se shtetasi që njihet me emrin Dritan (Febjus) Dauti lindur ne Golaj, Has dhe banues në Durrës kryen aktivitet te kundraligjshme të kryerjes së “Vepra me qëllime terroriste” dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.

Sipas informacioneve të grumbulluara, shtetasi Dritan (Febjus) Dauti në bashkëpunim me shtetas të tjerë dyshohet se ka vendosur edhe herë të tjera lëndë plasëse në zonën e Fushë – Krujës dhe Krujës në objekte të ndryshme. Ky shtetas ka ndërruar edhe emrin nga Dritan në Febjus.

Nga ana e Policisë gjyqësore është bërë i mundur sigurimi i informacionit, në bazë të të cilit Febius Dauti dhe 3-4 shokë të tij mund të vendosin eksplozivë me porosi në vende të ndryshme si makina, vende publike apo kudo që të bëhet porosi kundrejt shpërblimit me para. Sipas informacionit të përftuar, këta shtetas synonin që porositësit e tyre të ishin korrekt në pagesa për kryerjen e veprimeve të tyre.

Po ashtu, janë siguruar të dhëna se këta shtetas dyshohet se mund ta vendosnin lëndën shpërthyese edhe duke e telekomanduar shpërthimin nga distanca.

Në vijim të hetimit ka rezultuar se: Në datë 17.01.2015 në orën 16.20 në autostradën Durrës-Tiranë, në zonën në afërsi të mbikalimit për këmbësor në Shën Vlash, u konstatuan shtetasi Fabjus ( Dritan) Dauti, një person tjetër rreth moshës 30 vjec, i cili mbante në dorë një qese të kuqe. Në këto moment kanë ndërhyrë oficerët e policisë, të cilët kapën në duart e tij tre kallëpe, në trajtë cilindrike, me përmasa të ndryshme, të mbështjellë me natriban të zi, me dy fije të dala nga pjesa e trupit. Këto material dyshohet se janë lëndë shpërthyese e llojit eksploziv C4. Në momentet e këmbimit të lëndës plasëse kanë qenë të pranishëm dhe janë kapur nga policia edhe shtetasit e dyshuar Dashnor Dumani, Bledar Plaku e Asllan Plaku. Sa më sipër është kryer arrestimi në flagrancë i shtetasve, si persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “trafikimit të lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: