TIRANE– Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi ditën e djeshme shtyrjen e vendimit për heqjen e mandatit të deputetit të Partisë Socialiste, Armando Preng, me pretendimin se nuk kishin provat e mjaftueshme nga Prokuroria.

Anëtarët e mazhorancës në KQZ propozuan në mbledhjen e djeshme që t’i kërkohen Prokurorisë informacione shtesë për Prengën, pasi sipas tyre të dhënat e dërguara nuk ishin të mjaftueshme për të kaluar në vendimmarrje.

Pas kësaj kërkese, Prokuroria e Përgjithshme i ka rikthyer përgjigje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku i rikërkon ndërprerjen e menjëhershme të mandatit të deputetit Armando Prenga, pasi ky i fundit nuk ka respektuar kërkesat e ligjit për plotësimin e të dhënave, duke mos deklaruar, më së pari, një dënim të formës së prerë nga Gjykata e Kurbinit, si edhe precedentët penalë në Itali.

“Sipas Vendimit të Kuvendit nr.17/2016, mosplotësimi i të dhënave “….passjell përjashtimin e menjëhershëm nga funksioni publik….”. Pra, vetëm duke u mbështetur në faktin që ka një vendim penal të padeklaruar (të Gjykatës së Kurbinit), deputetit duhet t’i ndërpritet mandati”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar përgjigjen ditën e sotme për t’i dhënë mundësinë KQZ-së që të shqyrtojë brenda afatit ligjor vendimin e Prokurorisë për konstatimin për ndërprerje të mandatit të deputetit Prenga.

KQZ ka detyrim që të shqyrtojë vendimin e Prokurorisë brenda 10 ditëve nga vendimmarrja e Prokurorisë.
Prokuroria e Përgjithshme ka marrë vendim për konstatimin e ndërprerjes së mandatit të deputetit Prenga në dt.15.02.2017.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: