TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka dhënë sot pretencën për ish-deputetin Mark Frroku të akuzuar për vrasjen e Aleksandër Kurtit në Belgjikë në vitin 1999. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se prokuroria ka kërkuar 25 vite burg si dhe 10 vite heqje të së drejtës për funksione publike.

Për veprën penale të vrasjes, Prokuroria iu referua dëshmive anonime të mbledhura në vendngjarje nga dëshmitarët. Organi i akuzës ka kërkuar 17 vjet burg për “vrasje me paramendim në bashkëpunim”; 15 vjet burg për “pastrim parash”, 4 vjet për “fshehje pasurie” dhe 3 vite burg për “ndërtim të paligjshëm me qëllime përfitimi”. Në përfundim në total, organi i akuzës ka kërkuar 25 vite burg.

Frroku nuk ka marrë pjesë në seancë por ka qenë i përfaqësuar nga dy avokatët e tij

Dje bashkëpunëtori i Mark Frrokut, Kristjan Marinaj i cili akuzohej për bashkëpunim në vrasje me paramendim është shpallur i pafajshëm nga gjykata e Tiranës. Marinaj akuzohej si bashkëpunëtor i Frrokut në vrasjen e Aleksandër Kurtit në vitin 1999 në Belgjikë.

Më 21 shkurt Prokuroria kërkoi për Marinaj dënimin me 16 vite burg, por Gjykata i dha atij pafajësinë.

Me të njëjtat prova që kërkoi dënimin e Marianaj, Prokuroria ka kërkuar edhe dënimin e Frrokut por me gjasë krimi i vrasjes nuk mund të vërtetohet për shkak se edhe Marinaj u gjykua i pafajshëm nga Gjykata e Tiranës.

Ndërkohë Prokuroria e Krimeve të Rënda ka rihapur një hetim të ri pasuror për Mark Frrokun, familjarët e tij dhe për personat e bashkëlidhur me të, në kuadër të ligjit të antimafias. Para pak ditësh ish-deputeti është thirrur në Prokurori për të dhënë dëshminë e tij.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: