DURRËS – Dy inspektorë mjedisi të qytetit të Durrësit “trajtoheshin” me nga 100 mijë lekë në muaj nga një kompani kineze në këtë qytet me qëllim që të mos ushtronin kontroll në të, por, të dy janë arrestuar në flagrancë duke ndarë paratë dhe janë dërguar në Gjykatë.

Çuditërisht, njeri prej tyre, kryeinspektori, është shpallur i pafajshëm, ndërsa tjetri, vartës i tij, është dënuar me 1 vit e 4 muaj burgim, pavarësisht se u kapën në të njëjtat rrethana duke ndarë paratë. Pikërisht për këtë arsye, Prokuroria e Durrësit ka njoftuar sot se do të bëjë ankimimin në Apel për vendimin e treshes gjykuese të kryesuar nga gjyqtarja Anita Mici dhe anëtarë Tritan Hamitaj e Petraq Curri, pasi sipas saj, ky vendim konsiderohet tërësisht i pabazuar në ligj dhe në prova.

ARRESTIMET E 2 INSPEKTORËVE PËR “KORRUPSION PASIV”

Sipas Prokurorisë, Gjykata e Durrësit ka shpallur mesditën e sotme të pafajshem, ish-kryeinspektorin e Mjedisit në këtë qytet, Genci Balla, i akuzuar për “korrupsion pasiv…”, i cili u arrestua në flagrancë së bashku me inspektorin Eduart Bejko, duke ndarë paratë që i kishin marrë një shtetasi kinez, administrator i një kompanie private që operonte në Durrës.

Pavarësisht se në të njejtat rrethana të arrestimit në flagrancë, pra, duke ndare paratë, – deklaron Prokuroria e Durrësit, – inspektori Bejko, ndryshe nga eprori i tij është shpallur fajtor dhe është dënuar me 1 vit e 4 muaj burgim për akuzën e “Korrupsionit pasiv…”. Po ashtu, është shpallur fajtore edhe shtetasja Dorina Nikolla, e cila u dënua me 7 muaj burgim, por që do të kalojë në shërbim prove, e akuzuar për “Ushtrim ndikimi të paligjshëm…” tek dy zyrtarët Balla dhe Bejko.

Në konkluzionet e saj gjatë këtij procesi gjyqësor, Prokuroria e Durrësit kërkoi dënimin me nga 4 vjet e gjysëm burgim secilit për dy drejtues të Inspektoratit të Mjedisit në këtë qytet, të akuzuar për veprën penale të “korrupsionit pasiv…”dhe 1 vit e 6 muaj për shtetasen Dorina Nikolla. Nga hetimi rezulton se dy punonjësit publikë merrin nga administratori shumën prej 100 mijë lekë të reja në muaj, në këmbim të mosushtrimit të kontrollit në këtë kompani private.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb