Nga: Ornela Manjani

Brenda këtij viti do të shpërndahen edhe 12 milionë dollarë për kompensimin e ish-pronarëve. Kjo është edhe pjesa e mbetur nga fondi i vënë në dispozicion për këtë vit, pasi vetëm dy ditë më parë u shpërndanë 12 milionë dollarë për kompensimin financiar të ish-pronarëve. Nga ky fond përfituan 118 ish-pronarë që kishin aplikuar për kompensim në vitet 1993 dhe 1994 dhe 17 ish-pronarë, të cilët kishin aplikuar në vitet 2005-2006, të cilët pranuan ofertën e qeverisë për pagesa të përshpejtuara, duke hequr dorë nga 30-40% të vlerës së pronës së njohur për kompensim. Shpërndarja e fondit 12 milionë dollarë për përfituesit brenda këtij viti është e ditur nga ministri i Drejtësisë Ylli Manjani. “Puna ka filluar dhe kemi raportuar rastet e para të pronareve që kanë mbyllur përfundimisht “llogaritë” e hapura me shtetin. Pra, janë kompensuar plotësisht. Ky proces vazhdon dhe plani është që brenda këtij viti të harxhohet i gjithë fondi për kompensim financiar. Buxheti i vitit që vjen ka po aq para në dispozicion; pra 24 milionë dollarë të tjerë”.-ka shkruar ministri i Drejtësisë në faqen e tij zyrtare në “Facebook”. Sipas Manjanit gjatë vitit 2016 u shpenzua më shumë kohë për hartimin e ligjit të ri. “Ky vit që po mbyllim na mori shumë kohë me hartimin dhe miratimin e ligjit të ri (mos harrojmë se vetëm para pak ditësh, përfundoi gjykimi mbi këtë ligj ne Gjykatën Kushtetuese). Po këtë vit përgatitëm gjithë kuadrin nën ligjor të nevojshëm, që kërkon kohë dhe energji. Po në këtë vit pritëm aplikime të reja, të cilat janë pjesë e shqyrtimit të përditshëm të Agjencisë së Trajtimit të Pronave. Kemi ndryshuar të gjithë konceptin mbi barrën e përgjegjësisë. Tashmë, i takon ATP të bredhë nëpër zyrat e shtetit për të verifikuar të dhënat dhe jo më pronarëve, që jemi mësuar t’i shohim me letra nën sqetull duke kërkuar vërtetime pa fund. Pa dyshim që jo çdo gjë shkon vaj! Kemi probleme dhe nuk përjashtoj as sjellje apo praktika të paligjshme, për të cilat kërkoj bashkëpunimin e cilitdo që ka parë apo provuar në kurriz kërkesën për korrupsion! Të jemi të bindur që nuk do fal askënd ndaj të cilit ka një provë qoftë dhe indirekte për korrupsion. Por, ju lutem, të mirëkuptojmë njëri-tjetrin se jo çdo shqetësim që kalojmë duhet të quhet detyrimisht Korrupsion..! Korrupsioni është krim dhe si i tillë duhet provuar, që të dënohet ai/ajo që e kryen! E di dhe nuk e kam mohuar asnjëherë që ka vonesa në shërbim! Ashtu siç jam i bindur që vonesat e pajustifikuara çojnë në një bindje që aty ku ka vonesë ka Korrupsion! Ndaj dhe i kemi shpallur luftë vonesave! Por, jo gjithmonë ia kemi arritur për arsye të vështirësive që ju rendita pak më lart. Pa zgjidhje të çështjes se pronave unë besoj se nuk do kemi as klimë më të mirë biznesi dhe investimesh dhe as ekonomi kombëtare të zhvilluar.-shkruan Manjani.
Vendimet dhe pagesat
Vlerësimi ekonomik i vendimeve për kompensim ka filluar me hyrjen e ligjit në fuqi dhe përfundon në një afat 3-vjeçar. Ndërsa vendimmarrja apo procesi i shqyrtimit të njohjes së pronësisë dhe i vendimmarrjes përkatëse për trajtimin e kërkesave të pa trajtuara deri tani për njohje pronësie zgjatet edhe ky brenda një afati 3-vjeçar. Ndërkohë që, shpërndarja e fondit të kompensimit, i cili përbëhet nga fondi financiar dhe i tokës, realizohet në krye të 10 viteve të ardhshme, pra nga sot e 10 vitet në vijim fillon shpërndarja e fondit financiar dhe fizik për kompensimin e të gjitha vendimeve të deritanishme të dhëna për kompensim ndaj pronarëve.
Pagesat e përshpejtuara
Në ligji për pronat janë vendosur tre afate pagesash të përshpejtuara. Pagesë brenda një viti, brenda tre vjetësh dhe brenda pesë vjetësh. Për secilin variant në një VKM të posaçme është përcaktuar edhe përqindja e pagesës. Për pagesën brenda një viti pronari merr 20 % të vlerës së faturës, për pagesën brenda tre vjetëve merr 30 % dhe brenda pesë viteve merr 40% të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere. Të gjithë subjektet që kanë një vendim përfundimtar kompensimi, pavarësisht rendit kronologjik të tij dhe llojit të zërit kadastral të pronës së vlerësuar, kanë të drejtë të aplikojnë pranë ATP-së me kërkesë të veçantë, ku shprehin vullnetin për t’u kompensuar financiarisht. Kërkesat e veçanta për kompensim financiar do të trajtohen sipas kësaj procedure: nga çdo fond vjetor buxhetor i kompensimit financiar, jo më shumë se 1/3 e tij mund të përdoret për kërkesat e veçanta të kompensimit financiar, të gjithë subjektet kërkues, të cilët shprehin vullnetin për t’u kompensuar financiarisht me kërkesë të veçantë, duhet të aplikojnë pranë ATP-së brenda vitit të çeljes së fondit vjetor buxhetor të kompensimit financiar, pas aplikimit për kompensim financiar me kërkesë të veçantë, ATP-ja përgatit vlerësimin financiar të pronës, pavarësisht rendit kronologjik të vendimit dhe në rastin e disa aplikimeve për kompensim me kërkesë të veçantë do të zbatohet rendi kronologjik i
datës së vendimeve për këto aplikime. (Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb