TIRANE- Skandali i tjetërsimit të pronave në Karaburun, ka detyruar një të moshuar nga Vlora të vijë sot në Tiranë e të ndjekë me vëmendje seancën dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me gjyqtaren e Apelit të Vlorës, Brikena Ukperaj Lubonja, e cila rezulton të mos ketë fshehur pasurinë e pritet të konfirmohet në detyrë.

Me sytë që gati i mbusheshin me lot, Isuf Bodo thotë se as vettingu nuk po bën drejtësi, pasi për shkak të kësaj gjyqtareje por edhe të disa falsifikatorëve që i denoncoi me emra, familja e tij nuk po gjen qetësi.

90% të jetës ne i kemi kaluar pa gjumë për pronësinë në Kaburun. përballë nesh janë falsifikatorët, Pëllumb Petriti ka gjetur një varrmihës në Vlorë dhe i thotë hajde se ke prona, e çon tek noterja që quhet Blerina Serja, JO merr firma nga qytetarët. Unë nga natyra nuk kam vrarë asnjë mizë, por as nga vettingu nuk mora drejtësi. Në vitin 2012 me falsifikim Pëllumb Petriti më mori 220 hektarë tokë në Karaburun dhe u dënua vetëm me 4 vjet burg, prokuroria kërkoi 21 vjet, dhe ai akoma vazhdon si sekser. Edhe kjo gjyqtare nuk dha asnjë vendim të drejtë për ne”,- shtoi i moshuari me zërin që i dridhej.

Zotëria në fjalë foli më tej për një deputet dhe një ministër në qeveri si nxitësit e gjithë këtij falsifikimi, ndonëse nuk ua përmendi emrat. “E gjeni fare mirë juve se kush janë. Mua më ka ndodhur një fatkeqësi dhe nuk do vazhdoj t’i sjell fatkeqësi familjes time”,- shtoi ai.

HISTORIA E FAMILJES BODO
Isuf Bodo dhe vëllezërit e tij janë një nga 12 familjet pronarë në Karaburun të cilëve iu është falsifikuar prona. Ata kërkojnë t’ju kthehen 220 hektarët e grabitura përmes falsifikimit. Prokuroria hetoi dhe gjykata i shpalli fajtorë falsifikuesit, ndërkohë që familja kërkon t’i kthehet prona. Kur çështja shkoi në Apel, gjyqtarja Ukperaj, figura e së cilës po vlerësohet sot nga KPK, vendosi ta rikthejë çështjen për rigjykim në Shkallën e Parë.

(m.a/BalkanWeb)