NGA ORNELA MANJANI
Qeveria miraton një fond prej 848 milionë lekësh për kompensimin e pronarëve që u është zënë toka nga ndërtimet pa leje. Përfituesit janë në qarqet e Tiranës, Elbasanit, Durrësit, Lezhës, Vlorës dhe Shkodrës. Toka e zënë dhe që do të kompensohet në vlerë monetare është një sipërfaqe prej 50 627,1 m2.

Pas miratimit të listës së përfituesve nga qeveria, Agjencia e Trajtimit të Pronave do të çelë procedurat për plotësimin e formularit dhe dorëzimit të dokumenteve nga përfituesit, dhe më pas do të shpërndajë edhe paratë. Kostoja e aplikimit është 2 mijë lekë, ndërsa afati i shqyrtimit të kërkesës është 90 ditë. Grupi i punës, brenda 60 ditëve nga pranimi i kërkesës verifikon dokumentet, ndërsa drejtoresha e Agjencisë së Trajtimit të Pronave brenda 30 ditëve nga verifikimi firmos pagesat.

Pranimi i kërkesave
Procesi i regjistrimit apo pranimit të kërkesave për kompensim fillon 5 ditë pas datës së njoftimit publik. Me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të ATP-së ngrihet grupi i punës për pranimin dhe shqyrtimin e kërkesave, me objekt shpërblimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private që preken nga ndërtimet informale dhe shpërndarjen e fondit përkatës. Grupi i punës, brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për kompensimin e pronës, kryen verifikimet e duhura.

Drejtori i Përgjithshëm i ATP-së, brenda 30 ditëve nga data e përfundimit të procesit të verifikimit nga grupi i punës, nxjerr vendimin me emrat e subjekteve që përfitojnë nga kompensimi dhe urdhëron publikimin e listës së subjekteve që kompensohen. Gjithashtu, ai njofton edhe aplikantët që nuk përfshihen në listën e subjekteve që kompensohen, duke përcaktuar arsyet e mospërfshirjes.

Dokumentet
Subjekti apo përfaqësuesi i tij me prokurë duhet të paraqesë pranë ATP-së Tiranë kërkesën-tip që i vihet në dispozicion nga grupi i punës pranë AKKP-së, të plotësuar sipas rubrikave. Në listën e dokumenteve është dëshmia e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil.

Sipas ligjit, për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial të sillet certifikatë familjare e personit për të cilin është lëshuar kjo dëshmi. Një tjetër dokument është prokura e posaçme, e nënshkruar nga të gjitha subjektet që përfitojnë kompensim. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronar apo të një pjese të tyre, për çdo aplikim të kryer, paguhet tarifë shërbimi në vlerën 2.000 lekë, pavarësisht se i përket së njëjtës pasuri të paluajtshme.

Subjekti përfitues duhet të paraqesë vërtetimin origjinal të lëshuar nga një bankë e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare dhe IBAN-in përkatës, fotokopjen e dokumentit të identifikimit, certifikatën familjare të kërkuesit dhe mandatpagesën. Subjektet përfituese, kërkesa e të cilëve nuk është pranuar për mungesë dokumentacioni gjatë procedurave të mëparshme, kanë të drejtë të riaplikojnë. Këto subjekte nuk paguajnë tarifë shërbimi nëse provojnë pagimin e saj gjatë aplikimit të mëparshëm.

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: