Opozita ka marrë sot vendimin e madh, të njoftuar edhe më herët, kur qytetarët u thirrën të bëhen pjesë e protestës së 18 shkurtit. Bëhet fjalë për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit.

Nënkryetari i PD, Edi Paloka, i ftuar në emisionin “Kjo javë” me gazetaren Nisida Tufa në “News24” e ka thënë hapur atë që kreu i PD Lulzim Basha nënkuptoi në protestë. “PD nuk hyn në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër”, – pohoi Paloka.

Ju keni ndjekur gjithçka nga afër, keni qenë aty. A ishte në pritshmëritë tuaja kjo protestë?
Ne kemi deklaruar që më parë, që kjo do të jetë protesta më e madhe në Shqipëri. Dhe këtë e arriti. Kjo ka qenë vërtet një nga protestat më të mëdha të organizuara në Shqipëri, sa i takon numrave. Flas për numrin e protestuesve. Ky ka qenë edhe qëllimi i protestës të sotme të PD, tregimi i forcës, jo në kuptimin negativ, por për t’i bërë të qartë kësaj qeverie dhe të gjithë atyre që janë të interesuar për mbarëvajtjen e gjerave në Shqipëri, se nuk kemi të bëjmë me qëndrimin e opozitës, apo një partie politike, por për një qëllim që u intereson të gjithë shqiptarëve. Dhe kjo është dëshira për zgjedhje të lira e të ndershme.

Tani aty ka qëndruar një numër më i vogël protestuesish?
Padyshim që nuk do të mund të qëndronin të gjithë protestuesit aty. Por për qëndrimin me çadra, vijimin e protestës u mor vendimi bashkë me qytetarët. Padyshim që një gjë e tillë na ishte kërkuar nga qytetarët edhe nga takimet e zhvilluara në qytete të ndryshëm të vendit edhe më parë. Qytetarët kërkojnë zgjedhje të lira e të ndershme.

Basha në podium u shpreh se nëse nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme, nuk do të ketë zgjedhje. Çdo të thotë kjo?
Vendimi i sotëm është se u vendos jo vetëm prej PD e partive opozitare, por prej gjithë qytetarëve, që nëse nuk zhvillohen zgjedhje të lira e të ndershme, zgjedhje nuk ka. Sa të jetë kjo qeveri me Edi Ramën, nuk ka zgjedhje të lira e të ndershëm. Sot u vendos se duhet të ikë kjo qeveri, që të ketë zgjedhje të lira e të ndershme. Nëse kjo qeveri vazhdon me arrogancën e saj, nuk do të ketë zgjedhje.

Ju do të merrni pjesë në zgjedhje apo do bojkotoni?
Bojkoti i PD dhe nuk ka zgjedhje, nuk është e njëjta gjë. Është shumë e thjeshtë, nuk do të ketë zgjedhje më 18 qershor me Ramën kryeministër. Rama kërkon të bëjë votime, siç bëri në Korçë e Dibër. Ato nuk janë zgjedhje, por bëhen siç do Rama, ndan përqindjet. Kjo nuk do të ndodhë. Në Shqipëri më 18 qershor, nëse Rama do të jetë Kryeministër, nuk do të ketë zgjedhje. E shoh si të vetmen rrugë.

Pse nuk e ka ndjekur si rrugë PD atë që propozoi Topalli një mocion mosbesimi ndaj kryeministrit Rama?
Nuk flasim më për numrat në parlament, ata janë numrat e 2013. Ato kanë ndryshuar. Ka ndryshuar realiteti. Mbi 70 % e shqiptarëve nuk e duan më këtë qeveri. Sot qytetarët duhet të lihen të votojnë të lirë. Ne nuk kërkojmë rrëzimin e qeverisë, që të ikë Rama dhe të vijë Basha kryeministër, por të mbahen zgjedhje të lira e të ndershme.

Çfarë ndryshimi ka kjo protestë nga ajo e PS-së?
Kemi një ndryshim të madh. Rama vetëm live nga Kosova ose nga ndonjë vend tjetër mund ta ndiqte. Mund të shkojë në ndonjë vend më larg por nuk besoj se vjen në kryeministri. është frikacak. Nuk është ndryshimi tek policia, është tek qytetarët. 21, janari një tufë banditësh u lëshuan mbi policinë me hunj me gjithçka, ndërkohë që Rama rrinte i fshehur. Ky është ndryshimi. I çon njerëzit

Mungesa e disa deputetëve…
Duhet të jetë zotësi e madhe e gazetarëve që kanë arritur ta dallojnë. E dija që zonja Topalli është në Bruksel. Nuk është kjo gjëja më e rëndësishme. Kam eksperiencë nga protestat, kam 25 vite që protestoj. Kanë qenë mbi 100 mijë vetë sot dhe kjo është e sigurt. Nuk është se kemi qejf ta rrisim entuziazmin. Kjo protestë s’ka nevojë ta rrisim.

A kishte rëndësi të ishte zoti Patozi?
Nuk e di që nuk ka qenë zoti Patozi. Nuk e di që ka qenë ndonjëherë kundër zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Zoti Patozi edhe kur flitej për reformën në drejtësi ka theksuar se zgjedhjet janë më të rëndësishme. Unë të thashë që aty ishim dhe nuk arrija të shihja të gjithë deputetët. Nuk mund të merret si shenjë që Patozi është kundër PD-së.

Po për orarin e përcaktuar çfarë mund të thoni?
Për mendimin tim kanë bërë gabim që kanë marrë leje. Ne kemi dalë për ta përmbysur qeverinë e krimit. Kujt t’i marr leje, Edi Ramës, Saimir Tahirit.

Leja është marrë deri në orën 16:00. Nëse do të ketë një ndërhyrje nga ana e policisë si do vijohet?
Është thënë që dje nga Basha, që nëse Policia do ndërhyjë, dhe kur them policia e kam fjalën për Tahirin, e kemi të mirëpritur lëvizjen e tyre. Nëse do të ndërhyjnë do e shohin reagimin. Protesta është e paqtë deri në momentin që nuk provokohemi. Jemi të paqtë për aq kohë sa nuk provokohemi, nëse kjo ndodh, gjithë ajo protestë do të kthehet në revoltë.

Në 20 nëntor 2009, është protestuar në të njëjtin shesh, ku po protestohet edhe sot. A ka një ngjashmëri mes kësaj?
Nëse vetëm çadra e bën të duket e ngjashme, atëherë është kështu. PS ngriti çadra ku u zhvillua një grevë, ky hynë më të dobët, e dolën më të shëndoshë. Rama e kërkoi si favor te ndërkombëtarët, e kërkoi që të dilte me nder nga kjo protestë. Por tashmë përmbajtja është krejt e ndryshme. Ne kërkojmë zgjedhje të lira e të ndershme, gjë që Rama nuk e ka pikë vullneti ta realizojë diçka të tillë. Jemi komplet me mentalitete të ndryshme, sjellje të ndryshme. Ajo shprehja që ka mbetur emblematike ditën e parë të parlamentit kur foli Rama kryeministër tha: “Po më akuzoni se po ushtroj dhunë? Nuk keni parë gjë akoma?” ky është premtimi i vetëm i mbajtur nga Edi Rama.

Si parashikohet vijimi i protestës?
Protesta sot filloi, dhe do të vazhdojë. Qytetarët kërkojnë zgjedhje të lira e të ndershme.

Parashikohet përshkallëzimi protestave?
Numri i qytetarëve që do të qëndrojnë natë e ditë në çadër do të jetë jo i madh. Çadra do të jetë permanente, edhe protesta po ashtu. Qytetarët do të jenë në rrugë gjatë gjithë kohës, ditën dhe natën. Edhe deputetët, edhe aleatët tanë do të jenë aty. Rama kur gjendet para situatave të tilla, e ka zakon të kthehet barkas, dhe e ka huq ai këtë. Kur Rama e sheh që të ka përfund e nxjerr të gjithë arrogancën e tij. nëse nuk do ta kuptojë shpejt se duhet të japë dorëheqje, apo të krijojë mundësinë për zgjedhje të lira e të ndershme do të gabojë.

Edhe në Rumani po qëndrohet në shesh duke protestuar…
Edhe në Shqipëri po protestohet. Edhe numri do shtohet, edhe do alternohen. Edhe aksioni do të përshkallëzohet. Përballë arrogancës do të ketë edhe përgjigje të tjera. Mos mendojë Rama se mund të vazhdojë të hapë ekspozita ndërkohë që qytetarët protestojnë. Mos kujtojë se mund të lëvizë si turist, kur ka qytetarët kundër.

(transmetohen pamjet dhe intervistat, protestues duke ngrënë fara)

Për çfarë kanë dalë ata protestues, për të ngrënë fara apo për të protestuar?
Në protestë duhet thënë që mos hani fara dhe mos hani bukë?!

Zoti Veliaj tha mos bëni pis?
Zoti Veliaj bën mirë të vijë aty. Kjo ishte pjesë humori. Sigurisht njerëzit janë aty edhe për fukarallëkun dhe për arrogancën e qeverisë, për 3 mijë lekë futen në burg. Janë aty se janë të pakënaqur me qeverinë. Duke e ditur këtë ky kryeministër nuk do t’ju japë as të drejtën e votës.

Zoti Paloka, seanca e së enjtes, seancë me tensione si e parashikoni të enjten e ardhshme në Kuvend?
Nuk jam parashikues i mirë gjërash.

A do të jeni në seancë?
Do ta vendosim. Për mua personalisht nuk duhet të ishim më në atë parlament, për mua.
Nuk është hera e parë që ndodh përjashtimi i deputetëve të opozitës. Ka pasur raste të tjera. Është dënuar zoti Berisha, jam dënuar unë. Më thoni nëse mbani mend nëse është dënuar ndonjë deputet i maxhorancës. Kjo është pjesë e arrogancës.

A do t’i votoni anëtarët e vettingut?
Unë mendoj se qytetarët aty duan zgjedhje të lira dhe të ndershme, kjo është e rëndësishme. Kemi deklaruar që çështja më e rëndësishme në Shqipëri janë zgjedhjet. Edhe reforma në drejtësi është e rëndësishme por nuk ka vlerën që ka vota e lirë.

Për të mos hyrë tek pehlivanllëqet. Së fundmi edhe Hakmarrja për Drejtësi mbështeti reformën në drejtësi. Kjo është reforma që po bën Edi Rama.

Keni një platformë reale, një program real, për më pas? Çfarë duhet t’i besohet PD-së? Si do ta bindë ajo qytetarin?
Që PD do të vijë në pushtet me zgjedhje të lira, këtë e ka kuptuar edhe Rama. Për sa i përket programit. Edhe programin e kemi gati. Sot jemi në fazën që duam të realizojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Duhet t’u krijojmë shqiptarëve kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Zgjedhje në Shqipëri do të ketë dhe sigurisht do të votojnë dhe për programin e PD-së dhe do të votojnë edhe kundër kësaj qeverie. Siç ndodh në Shqipëri që votojnë më shumë kundër atij që është në qeveri sesa atij që do të vijë.

A është gati që PD-ja të vijë në pushtet?
Takova para pak ditësh një ambasadore shumë të rëndësishme në Shqipëri. Më tha si i bëhet për të luftuar drogën? I thashë është shumë e thjeshtë, sepse qeveria nuk është se do t’i luftojë dhe ka dalë jashtë kontrollit. Këtu trafikantët janë vetë qeveria, pra, është çështje vullneti. Në parlament kriminelët i futi Edi Rama.

Pra, do kemi një parlament të zhveshur nga krimi?
Një administratë të tërë. Do të kemi një vend ku siguria e qytetarit është e para. Në aspektin ekonomik, për njerëzit e varfër që sot i kanë çuar deri në vetëvrasje se s’kanë patur 3 mijë lekë të vjetra. Kemi thënë që deri në 200 kë do t’i paguajë shteti për ata që nuk kanë mundësi. Do të kemi taksën e sheshtë 10%. Nuk janë si premtimet e Ramës në ajër.

(el.sp/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: