TIRANË- Që prej ditës së martë, Policia e Shtetit ka kaluar në gatishmëri. Shkak për këtë gjendje është bërë protesta e paralajmëruar e opozitës. Ndërkohë Policia e Shtetit ka kërkuar informacion nga Drejtoritë e Qarqeve për tubimin e nesër të PD-së. News24 ka siguruar telegramin urgjent që Policia e Shtetit u ka nisur komisariateve në rrethe me detyrat për parandalimin e ndonjë akti kriminal dhe për sigurinë.

Gazetari Saprtak Koka raporton se Policia ka kërkuar informacion për identifikimin e personave të dhunshëm dhe personave me precedentë kriminalë, duke kërkuar që këta të fundit të mbahen nën kontroll.

Burime nga drejtoria e përgjithshme e Policisë së Shtetit bëjnë me dije se është marrë informacion dhe rezulton se nga Qarku i Shkodrës rreth 80 persona me precedent kriminal, apo me tendencë kryerjen e veprimeve të dhunshme ndaj institucioneve shtetërore mund të marrin pjesë në tubimin e së enjtes.

Në shkresë citohet se “me qëllim parandalimin e ndonjë akti të mundshëm kriminal dhe sigurimin e rendit publik gjatë zhvillimit të kësaj proteste, nga ana e Policive në qarqe kërkohet:

  1. -Të merren masa të shpejta dhe të sakta për identifikimin e personave pjesëmarrës që mund të kryejnë veprime të dhunshme ndaj institucioneve të shtetit dhe objekteve të tjera.
  • -Të orientohet puna për të siguruar informacion ndaj personave me precedent kriminal, me tendencë kryerjen e veprimeve të dhunshme ndaj institucioneve shtetërore.
  • -Të merren masa për mbajtjen nën kontroll të personave me tendenca të tilla me qëllim parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale dhe sigurimin e rendit dhe qetësisë publike.
  • -Për çdo të dhënë për veprimtari kriminale krahas masave të kontrollit të dërgohet informacion brenda datës 11.03.2015.

Informacion i bollshëm me dyshimet e arsyeshme të mbledhura në terren është grumbulluar dhe për qytete apo zona të tjera të konsideruara të nxehta, nga të cilat mund të vijnë drejt Tiranës persona me precedent kriminal, apo me tendencë kryerjen e veprimeve të dhunshme ndaj institucioneve shtetërore.

Angazhim konkret lidhur me tubimin e ditës së enjte ka ndërmarrë dhe Shërbimi Informativ Shtetëror, i cili gjatë mesditës pritet ti paraqesë Policisë së Shtetit të gjitha materialet e mbledhura për dyshime se gjatë protestës mund të ketë akte të dhunshme ndaj institucioneve shtetërore apo përfaqësuesve të tyre.

 

Opozita ka thirrur të gjithë qytetarët në një protestë ditën e enjte për të kërkuar dorëheqjen e kreut të Parlamentit, Ilir Meta, që nga deklaratat e deritanishme të bëra nga PD-ja parashikohet të jetë paqësore. Nga burime brenda PD-së, mësohet se protestuesit me pankarta në duar do nisin marshimin nga sheshi “Skënderbej”, për të vijuar drejt institucioneve kryesore Kryeministri, Kuvend. Nisur nga protestat e kaluara të opozitës, mendohet se protesta do të jetë paqësore, por nga ana tjetër, deklarata të tipit “protesta do e tejkalojë opozitën”, lënë vend për aludime.

Nisur nga zhvillimet, institucionet dhe organet e rendit po përgatiten për çdo skenar të protestës që pritet të jetë më e madhja.

Një e përditshme pranë qeverisë thotë se ka një skenar të dhunshëm, që ka shqetësuar diplomatët e huaj. Disa media të tjera thonë se ka një skenar për të bllokuar deputetët e mazhorancës brenda në Kuvend.

Nga burime brenda PD-së, pohohet se për ditën e enjte është bërë një skenar i hapur: marshim, pankarta, brohoritje, fjalime, thirrje dhe ndoshta përplasje të vogla me policinë, që do të shkojnë drejt ashpërsimit. Ndërsa pjesa tjetër e manifestimit do të jetë më pas: bllokimi i kryeministrisë, selisë së Kuvendit dhe më pas edhe të parlamentit. Synimi është që të ketë bllokim disa ditor, në mënyrë që Meta as të futet dhe as të mos dalë nga zyra dhe po ashtu edhe strukturat e qeverisë, jo vetëm të kryeministrisë, të jenë të bllokuara.

Por nga ana tjetër edhe qeveria është e përgatitur për çdo zhvillim, duke rritur gatishmërinë. Gjithashtu mësohet se do të ketë përballë protestuesve edhe mbështetës dhe popull krah mazhorancës që do marrë përsipër mbrojtjen e institucioneve. Ndërkaq policia bën me dije se s’do lejohet qarkullimi nga 09:30 deri në përfundim të protestës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: