JORDANI- Protestat në Jordani kundër rritjes së taksave dhe masave shtrënguese kanë vijuar për të tretën ditë radhazi, duke shënuar kështu ato që konsiderohen si protestat më të mëdha ndër vite. Policia hodhi gaz lotsjellës dhe bllokoi rrugët në kryeqytetin e Jordanisë në Aman për të ndaluar protestuesit të cilët po i afroheshin zyrave qeveritare.

Protestuesit janë shprehur se projektligji për taksat e reja, i mbështetur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, do të dëmtojë klasën e varfër dhe atë të mesme.

Disa mijëra protestues kanë thërritur parulla anti-qeveritare dhe i kanë kërkuar mbretit Abdullah të shkarkojë kryeministrin Hani Mulni. Ky i fundit është shprehur se i takon parlamentit të vendosë nëse do ta kalojë apo jo projektligjin.

Mbreti Abdullah ka bërë thirrje për kompromis nga të gjitha palët. Qeveria e Jordanisë thotë se duhen më shumë para për të financuar shërbimet publike dhe është shprehur se nëse do të votohet projektligji në fjalë, ata që kanë fitime të larta do të paguajnë më shumë.

Protesta ka pasur edhe në qytete më të vogla, ku edhe aty raportohet se policia ka hedhur gaz lotsjellës. Në qytetin jugor Man, protestuesit dogjën goma në rrugë dhe u përplasën me policinë. Sipas mediave të huaja, në Jordani janë rritur çmimet ndërsa rrogat nuk po rriten.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb