Që qeveria e kryeministrit Rama po qeveris në një mënyrë arrogante, të kushtueshme dhe tejet të lodhshme për publikun, kjo sot nuk mund të mohohet. Ashtu si, nuk mund të mohohet se Shqipëria po vuan barrën e një ekonomie të asfiksuar dhe aspak produktive, ku informaliteti është mbytës.

Nga ana tjetër, kostoja e përpjekjes për të formalizuar biznesin e vogël po del shumë e paqartë. Klasa e mesme gjendet gjithnjë e më e varfëruar prej ndërfutjes së lobeve të biznesit dhe kanalizimit të pak njerëzve në vendimmarrjen për të.

“Mund të thuhet se klasa e mesme është tkurrur qysh se u prezantua “taksa progresive” e deri më sot, dhe se kjo klasë gjendet nën njëlloj agresioni të oligarkisë së lidhur me elitën politike drejtuese të vendit. Kjo do të thotë se politikat fiskale dhe jo vetëm ato, kanë dobësuar klasën e mesme dhe kanë shtuar numrin e të varfërve në vend.

Të njëjtin rezultat kanë sjellë edhe politika abuzuese e enteve rregullatore p.sh. në energjinë elektrike, në ujin e pijshëm, etj., shprehej pak javë më parë për “Monitor” eksperti i ekonomisë Zef Preçi.

Më keq akoma, me gjithë lëbyrjen që i shkon syve të zakonshme të shqiptarëve propaganda “Rama” shërbimet bazike publike që lidhen me ato shëndetësore, arsimore, e kanë përkeqësuar aq shumë koston e jetesës së shtresave më të varfra të vendit, saqë revolta tashmë është gati një nevojë.

Të mjafton të ndjekësh emisionet e mëngjesit dhe artikulimin për problematikat e njerëzve dhe do të kuptosh se modeli ekonomik, nëse ekziston (i kësaj qeverie dhe asaj para saj dhe atyre më parë), nuk ka qenë fare rezultativ.

Rezultati është se që tani ka dhënë pasojat në uljen e madhe të nivelit të jetesës, diferencat e klasave shoqërore, në prishjen e harmonive sociale duke pjellë kategori të ndryshme kriminelësh, mungesën e autoritetit mbi territorin e vendit (kanabizimi dhe pasojat), tkurrjen demografike të vendit dhe mbi të gjitha përpjekjen për të ikur.

Por ndërsa njerëzit e thjeshtë e sqarojnë me fjalë të thukëta situatën dhe shumë konkrete, politikanët e opozitës që duan t’i japin qëllim kësaj pakënaqësie mbartin të njëjtën ligjëratë shqiptuar gjithnjë. Trishtohesh në këtë vend që ende ofendohet në këtë mënyrë, prej nga kryeministri, krerët e opozitës dhe me radhë: Kazan, tepsi, narkoministra, Ilir floriri, Sali krimineli, i Gjati, Monikë çizmja, Do ta zvarritim gjallë…, janë nga fjalët dhe togfjalëshat që kanë marrë qytetari në leksikun shqiptar. Përfytyrimi i personazheve të viktimave të ish-regjimit prej Kadaresë, teksa mendojnë hakmarrjen ndaj regjimit duket tejet delikate para fjalëve që përdorin dhe përfytyrimeve se çka shqiptojnë sot politikanët në foltoren e Kuvendit dhe në emisionet e TV.

E kësaj i shtohet edhe një paradoks ushqyer nga politika, por që tregon dhe makutërinë e saj për të rrjepur ende në lëkurën e Shqipërisë së sfilitur. Nga pozita vazhdohet me përqeshjen e pamoralshme dhe të vazhdueshme ndaj opozitës dhe kujtdo që tenton t’i kritikojë, kurse opozita me urrejtjen që mbjellin në çdo moment. Kryetari i PD Basha deklaroi pak orë më parë se procesi politik është asgjësuar dhe se vendi ka vetëm një institucion legjitim dhe ky është ai i protestës. Ndërkohë që ai vetë bashkë me kreun e pozitës nuk ka bërë ende publik marrëveshjen e 18 majit të shkuar që solli zgjedhjet e shkuara dhe bashkëqeverisjen e tyre.

Është pak të thuash se çka ndryshuar nga një vit më parë, sepse edhe atëherë Rama do të zvarritej dhe do të hiqej nga Lëvizja e Çadrës, por përfunduan në një marrëveshje. Ashtu si Basha s’ishte serioz dhe fliste pa sens, për Ramën, kundër çdo gjëje bërë prej qeverisë. Në të dy rastet, ligjërimi kishte si mbulim njerëzit që besonin se ndryshim do vinte sakaq dhe se ata që do të vinin do të ndryshonin vendin.

Shqipëria është në prag të hapjes së negociatave, e për hir të së vërtetës, paçka rrugës së vështirë që ia kemi bërë në çdo hap, të gjithë i kanë vendosur një tullë, falë këtu edhe predispozitës së BE-së për t’u zgjeruar. Por, ne që duhej të bënim sot një treg konkurrent rajonal të turizmit, të formalizonim ekonominë, të arrinim të bënim një treg të zhvilluar të kapitaleve, të rregullonim infrastrukturën ende jo të mirë të komunikacionit, të përmirësonim bujqësinë, të rregullonim problemet e ndërtimeve pa leje dhe pronësitë, por edhe të bënim një linjë si duhet hekurudhore jemi ndalur. Kjo sepse energjia për të ndërtuar shkon më shumë te politika dhe aspak te njeriu, që përdoret vetëm si mbulim për tribunën e protestës, ku aktorët e politikës i lënë vendin njëri-tjetrit.

Protesta vërtetë nuk bëhet për të sjellë opozitën në pushtet, por për të larguar të keqen që po largon shqiptarët nga vendi, siç thotë opozita, por aty mungojnë vërtetë grupet e interesit që janë realisht të prekura, sepse gjithçka e ka në dorë Edi Rama, Lulëzim Basha dhe Monika Kryemadhi dhe kjo të bën të mendosh se edhe protesta e të shtunës është e politikës dhe asfare e njerëzve.

Fatkeqësisht sa herë flet Rama dhe Basha, e tashmë grupit i shtohet edhe Monika Kryemadhi, një qytetari të thjeshtë i shkon buzëqeshja sipër instinktivisht dhe e para gjë që mendon është e thjeshtë: Çfarë po sajojnë tani vallë dhe ku do të dalin!? Në fakt, të gjithë e dinë mirë: Gjithçka është justifikim për t’i lënë shqiptarët në gjumë, ashtu si e bëjnë prej 27 vitesh demokraci, pa demokraci. Kjo bën që kryetari i PD-së, i cili mëton se opozita ka një strategji të hartuar në bazë të kësaj gjendjeje ku ndodhemi e se pjesa kyçe e kësaj strategjie tani është reagimi i qytetarëve, por ende nuk ka bërë analizën për humbjen. Ashtu si Rama që beson se e gjitha kjo është e stisur për të penguar, por pa pranuar ende se administrata që ka ngritur është krejt jashtë mëtimit të tij për Shqipërinë ndryshe.

Burimi: http://www.gsh.al/2018/01/27/protesta-per-karriget-e-rames-dhe-bashes-jo-hallet-e-njerezve/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: