TIRANË- Edhe pse një pjesë të fjalimit të tij para asamblistëve të PS ia kushtoi ligjit të mbetjeve, kryeministri Edi Rama u ka dhënë sërish një përgjigje protestuesve. Me anë të një mesazhi në rrjetin social ‘Twitter’, Rama nënvizoi faktin se ligji shërben për një Shqipëri më të pastër.

“Çdo qytetari mes protestuesve sot qe mendon se e do Shqiperine me te paster se une i them:Je gabim! Ligji i sherben pikerisht qellimit tend!”, citohet në mesazhin e Ramës.

Më herët, nga Asambleja Rama theksoi se ligji i mbetjeve është i domosdoshëm. “Ligji për mbetjet, i domosdoshëm dhe tërësisht konform ambicies sonë për një Shqipëri më të pastër, kush kujtohet për çfarë kemi thënë kur kërkonim reformën territoriale, një nga pikat ka qenë na duhet kjo reformë për të kaluar në një fazë racionale të menaxhimit të mbetjeve”,­ tha Rama.

Kryeministri deklaroi edhe njëherë se qeveria ‘Rama’ nuk ka bërë tradhti kombëtare sa i takon miratimit të ligjit të mbetjeve. Ai theksoi se tradhti do quhej nëse në Shqipëri do të hynin mbetje për t’u djegur apo groposur. Rama shtoi se PS mund të ketë bërë shumë gabime, por kurrë ‘tradhti për interesat kombëtare’.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: