Nga AUGUSTIN PALOKAJ

Në Rumani kundër qeverisë u ngritën të rinjtë. Nuk pati madje as këshill organizativ e as organizatorë. Ndërsa në Shqipëri, protestat i organizojnë partitë politike me logjistikën e tyre. Në Rumani mediat vetëm raportonin për këto protesta që ishin krejtësisht spontane, ndërsa në Shqipëri mediat janë shndërruar në vegla të kampeve politike. Raportimin e bëjnë sipas animit të tyre politik, ose duke e ekzagjeruar protestën, ose duke e përqeshur atë. Para disa vjetësh pata fatin që në stadiumin “Nou Camp” të Barcelonës ta shikoja një “El Clasico”, siç quhet përballja mes Barcelonës dhe Realit të Madridit.

Po e përmend këtë për një gjë: për t’u munduar të përshkruaj se si duket një masë njerëzish prej 100 mijë. Në këtë stadium mund të jenë pikërisht aq shikues, më saktësisht 99.354. Këtu nuk ka mundësi për manipulime. Dihet saktësisht se sa veta mund të jenë në stadium. Kur e sheh atë masë në atë stadium, më të madhin në Evropë, kur sheh se si mbushen bulevardet e gjera dhe të gjata të asaj pjese të qytetit katalonjas, kur shikuesit largohen nga stadiumi. Ky qytet ka banorë sa e tërë Shqipëria dhe rrugët e tij duken si lumë njerëzish nga rreth 100.000 tifozë. Para se të shikoja këtë ndeshje, kisha tendencën që të besoja në shifra të mëdha të tubimeve të ndryshme të njerëzve. Por prej atëherë kam një pasqyrë më të qartë. Kështu, më duket qesharake kur Sali Berisha përsëri shkruan se në Tiranë janë tubuar hiç më pak se gjysmë milioni njerëz.

Pra, 5 herë më shumë sesa do t’i zinte stadiumi “Nou Camp” i Barcelonës. Më shumë se sa kishte në Bukuresht, ku sipas të gjitha mediave evropiane, ishin zhvilluar protestat më të mëdha në Evropë në dhjetëvjetëshin e fundit. Bukureshti ka mbi 2 milionë banorë, ndërsa Rumania mbi 20 milionë, pra gjashtë herë më shumë se Shqipëria. Sikur në Tiranë, në protestat e opozitës të ishin mbledhur gjysmë milioni njerëz, kjo do të ishte edhe ‘Breaking News’ në CNN dhe BBC. Por, me përjashtim të agjencive të lajmeve, pakkush jashtë Shqipërisë i përmend ato. E ato agjenci që dhanë lajmin për protesta, siç ishte “Reuters”, përmendën se janë tubuar “mbi 10 mijë qytetarë”, pra 50 herë më pak se sa përmendi zoti Sali Berisha. Protestat janë gjithsesi legjitime. As 10 mijë nuk janë pak. Kërkesat mund të jenë legjitime po ashtu. Edhe detyra e opozitës është që të jetë kritike e pushtetit. Por kur stërmadhohen gjërat, shtrembërohen faktet, ato shndërrohen në fushatë manipulimi. Fillon me numra dhe vazhdon me parulla tjera. Duket se në Shqipëri asgjë nuk ka ndryshuar: ata që janë në opozitë kërkojnë “zgjedhje të lira” dhe largimin e qeverisë përmes protestave. E bëjnë në të njëjtën mënyrë, siç e kishin bërë këta që janë në pushtet kur ishin në opozitë.

Dhe, prapë, sikur të mos ishte fjala për një shtet sovran dhe të pavarur, kërkohet ndërhyrje nga jashtë, duke manipuluar edhe ata që janë dëshmuar me vite si miq të shqiptarëve. Në Shqipëri asnjëherë nuk ka munguar talenti për manipulim. Dhe përsëri ata që protestojnë thirren në popull, edhe pse janë organizuar nga parti politike. Rumania ishte shembull se si duhet protestuar si qytetarë e jo si simpatizantë apo klientë të partive politike. Në Rumani, kundër qeverisë u ngritën të rinjtë. Nuk pati madje as këshill organizativ e as organizatorë. Ndërsa në Shqipëri, protestat i organizojnë partitë politike me logjistikën e tyre. Në Rumani mediat vetëm raportonin për këto protesta që ishin krejtësisht spontane, ndërsa në Shqipëri mediat janë shndërruar në vegla të kampeve politike. Raportimin e bëjnë sipas animit të tyre politik, ose duke e ekzagjeruar protestën, ose duke e përqeshur atë.

Në Rumani të rinjtë dëshmuan se është e mundur që me qindra e mijëra të dalin në rrugë dhe të rrëzojnë një vendim të gabuar të qeverisë, që kishte për qëllim mbrojtjen e të korruptuarve. Dhe për korrupsionin njësi matëse nuk mund të jetë vetëm shuma e parave, por edhe përgjegjësia profesionale. Në Ballkan, qoftë në Shqipëri, në Kosovë apo Maqedoni, rrallë, ose asnjëherë nuk ka protesta spontane, që nuk janë të organizuara nga partitë politike. Kur ato organizohen nga shoqëria civile, pjesëmarrja është shumë simbolike. Dhe shumica e madhe e protestave viteve të fundit në Ballkan kanë qenë me motive politike, kundër pushtetit e jo kundër dukurive. Në Shqipëri ka qenë një protestë e vogël, por gjithsesi e suksesshme, kundër një plani që armët kimike nga Siria të asgjësoheshin në tokën e këtij vendi. Edhe në ato protesta u orvat të infiltrohej opozita, por nuk u lejua. Nuk ishin protesta të mëdha, por patën sukses.

Sepse dëshmuan se po protestonin për një gjë, që ishte lehtë të argumentohej. Në Kosovë protestat kryesisht i bëjnë partitë politike, në të shumtën e rasteve Lëvizja Vetëvendosje. Edhe kur ato zhvillohen, kemi “luftë numrash” mes organizatorëve dhe atyre kundër të cilëve bëhen protestat. Në Kosovë, në Maqedoni e në Shqipëri nuk kemi parë protesta masive kundër ndotjes së ambientit. Shkupi dhe Prishtina këtë dimër kanë qenë ndër qytetet me ndotjen më të madhe të ajrit në Evropë. Në Kosovë nuk ka protesta as për përmirësimin e sistemit të shkollimit, që ka nxjerrë ndër nxënësit me performancën më të keqe në botë. Ata që janë në opozitë duket sikur përdorin protestat si pjesë të fushatës. Duan që të vijnë në pushtet, në mënyrë që të sillen po ashtu siç sillen ata që janë në pushtet dhe pikërisht ashtu siç vepruan edhe vetë kur një ditë ishin në pushtet. Ta marrim si shembull Shqipërinë. PD-ja sot përmend drogën, kanabisin, politizimin e gjyqësorit dhe pamundësinë për t’u punësuar pa pasur lidhje me strukturat në pushtet. Këto vërejtje nuk janë larg së vërtetës.

Kjo gjë tashmë në Shqipëri, sikur edhe në pjesë tjera të rajonit, është bërë sikur një normë e pranuar në shoqëri. Partitë politike kanë klientë më shumë se sa votues. Secili voton për “partinë e tij” jo për shkak të ideologjisë apo se beson në atë parti, por për shkak të vendit të tij të punës dhe interesit personal. Por a nuk ishte PD-ja aq vite në pushtet dhe në mundësi që t’i luftonte të njëjtat dukuri kundër të cilave sot pohon se po proteston. Edhe këto protesta në Shqipëri nuk po merren aq seriozisht në Evropë, sepse janë mësuar tashmë me një rreth të tillë vicioz, kur opozita në rrugë kërkon rrëzimin e qeverisë dhe kur kjo opozitë të vijë në pushtet, vetëm ndryshohen rolet në skenarin e njëjtë.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb