PRISHTINE – Ndërsa lëvizja “Vetëvendosje” ka paralajmëruar protesta të tjera për Trepçën dhe largimin e ministrit Jabllanoviç, ky i fundit ka deklaruar se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen. Në një intervistë për gazetën beogradase “Veçernje Novosti”, ministri Aleksandër Jabllanoviç tha se Albin Kurti nuk kërkon largimin e tij, por do që të rrëzojë qeverinë.
“Kurti do të rrëzojë pushtetin, jo mua. Kërkesa për dorëheqjen time është vetëm shkas për ndërrimin e qeverisë kosovare, ngaqë opozita shqiptare nuk ka mundësi të vijë në pushtet me metoda demokratike. E për dorëheqjen as që më shkon në mendje ta bëj.”,-ka pohuar kreu i Listës “Srpska” dhe ministri për Kthim e Komunitete, Jabllanoviç.
Ndër të tjera ministri u shpreh i bindur se qeveria do të arrijë ta kapërcejë krizën. “Lista “Srpska” asnjë çast nuk ka nxitur në destabilizim, por qëllimi ynë është që të krijohet siguria më e mirë dhe stabiliteti për të gjithë qytetarët”, -u shpreh Jabllanoviç.
Sipas ministrit, çështja e “Trepçës” është komplekse. “Jam i kënaqur që kështu mendojnë edhe përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, të cilët këtë problem e kanë pezulluar për ta shqyrtuar në mënyrë të qetë dhe të drejtë”- deklaroi ai.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb