MAQEDONI- Kriza politike në Maqedoni vazhdon të përshkallëzohet edhe në aspektin e sigurisë pas zbardhjes së marrëveshjes për draft-ligjin për gjuhën shqipe mes Lidhjes Social-Demokrate dhe partive shqiptare.

Pasditen e sotme është sulmuar vetura e kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev, njoftuan disa portale proqeveritare në gjuhën maqedonase. Vetura e tij është gjuajtur me vezë ndërsa ka levizur në drejtim të selisë partiake të LSDM-së në Shkup.

Sipas portaleve proqeveritare, sulmet ndaj LSDM-së janë pasojë e pranimit të kerkesave shqiptare nga Zaevi.

Protestat e organizatave të ndryshme të martën në mbrëmje kanë përfunduar me dhunë ndaj një gazetari ndërsa janë regjistruar edhe incidente tjera ku në shënjestër të protestuesve kanë qenë edhe kalimtarë të rastit.

Protestat tani janë shtrirë edhe në qytete tjera ndërsa mbahen kundër avancimit të gjuhës shqipe dhe kundër siç thuhet, përpjekjeve të liderit opozitar, Zoran Zaev, për ndarjen e Maqedonisë.

Ndërkohë, ky i fundit prej dy ditësh është në pritje të presidentit, Gjorge Ivanov për t’i dhënë mandatin për formimin e qeverisë së re. Zaev ka thënë se marrëveshja e arritur mes tij dhe partive shqiptare, të cilat i kanë dhënë firmat e nevojshme për t’u mandatuar për kryeministër, është në përputhje me Kushtetutën, e cila përveç maqedonishtes si gjuhë të dytë zyrtare përcakton edhe gjuhën shqipe.

Por, nga VMRO-ja e Nikolla Gruevskit, e cila është në pushtet tani 10 vjet, thotë se marrëveshja rrënon karakterin unitar të shtetit, andaj ka bërë thirrje për kundërshtimin e saj me të gjitha mënyrat e mundshme. Thirrja e saj ka rritur tensionet dhe incidentet kryesisht nëpër rrugët e Shkupit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: