NGA ERMELINDA HOXHAJ*

TIRANË- Ministria e Arsimit dhe Sportit e ka lënë për në momentet e fundit shpalljen e datave të tri provimeve kombëtare të arsimit bazë, apo siç quhen ndryshe, provimet e lirimit. Procedurat e administrimit të provimeve të nxënësve të klasës së 9-të janë të njëjtat si ato të maturës, po ashtu edhe masat që do të merren për ruajtjen e tezave.

Sipas udhëzimit nr. 8, datë 25.05.2016 të firmosur nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, tri provimet e lirimit do të nisin mesin e muajit qershor, ndryshe nga vitet e tjera, që fillonin javën e parë të qershorit. Në rregulloren e provimeve të lirimit përcaktohet ndër të tjera se provimet zhvillohen vetëm në ambientet e shkollave publike.

Datat
Ministria e Arsimit ka publikuar datat e tri provimeve për nxënësit e shkollave 9-vjeçare. Provimi i parë do jetë Gjuha e Huaj, e cila do të zhvillohet në datë 14 qershor 2016, më pas provimi i Gjuhës Shqipe i cili do të vijoi në datë 18 qershor, ndërsa Matematika do të zhvillohet në datë 23 qershor. Pro-vimet kombëtare të arsimit bazë fillojnë në orën 10:00 dhe zgjasin 2 orë e 30 minuta. Sipas udhëzimit të MAS, nxënësit e pakicave kombëtare greke dhe maqedonase zhvillojnë edhe provi-min kombëtar të arsimit bazë në lëndën Gjuhë Am-tare. Provimi kombëtar i arsimit bazë në lëndën Gjuhë Amtare do të zhvillohet në datë 17 qershor 2016.

Udhëzimi
Sipas udhëzimit të MAS, testi i Gjuhës së Huaj hartohet në përputhje me gjuhën, e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm të ulët trajtohet si gjuhë e huaj e detyruar në nivelin gjuhësor A2. Lista e gjuhëve të huaja që do të jepen si provim i detyruar janë: anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht. “Nxënësit e klasave të IX parapërgatitore për seksionet dygjuhëshe italiane, gjermane dhe franceze janë të lirë të zgjedhin midis gjuhës së huaj të parë që kanë filluar në klasën e III dhe gjuhës së huaj të seksionit përkatës, të filluar në klasën VI”, përcaktohet në udhëzimin e MAS.

Për nxënësit e klasave të IX parapërgatitore për seksionet dygjuhëshe italiane, gjermane dhe franceze, në udhëzim përcaktohet se testi duhet të hartohet dhe korrigjohet në bashkëpunim me mësuesit e huaj dhe shqiptarë të këtyre seksioneve. Po ashtu, për shkollat e pakicës kombëtare grekë, teza e provimit në lëndën Gjuhë Amtare përgatitet nga DAR Gjirokastër. Ndërsa për ato të pakicës maqedonase, teza e provimit kombëtar të Gjuhës Amtare përgatitet nga DAR Korçë.

Në pikën 11 të këtij udhëzimi përcaktohet se nxënësit me aftësi të kufizuar i zhvillojnë provimet kombëtare në përshtatje me veçoritë e tyre. Për nxënësit që nuk shikojnë, AKP një ditë para zhvillimit të provimit i kthen në sistemin e shkrimit brail. Nxënësit mbetës në provimet kombëtare të arsimit bazë ka të drejtën e riprovimit në sesionin e dytë, në shtator.

Administrimi
Në 30 mars, MAS ka miratuar edhe rregulloren e zhvillimit të provimeve të lirimit. Sipas rregullores, shpërndarja dhe grumbullimi i materialeve të provimit bëhet me procesverbal. Materialet e provimit tërhiqen nga AKP një ditë para provimit, nga përfaqësuesi i autorizuar me shkrim nga kryetari i Këshillit të Provimeve të Lirimit (KPL) dhe në prani të Inspektoratit Shtetëror të Arsimit (ISHA). Këta persona mbajnë përgjegjësi për ruajtjen e sekretit dhe sigurimin e tyre deri në dorëzimin te kryetari i KPL. Në nenin 16 të kësaj rregulloreje përcaktohet se qendrat ku do të zhvillohen provimet do të jenë vetëm në shkollat publike, pra edhe nxënësit e shkollave 9-vjeçare jopublike, provimet kombëtare të lirimit i bëjnë në ambientet e shkollave publike. Ambientet nuk duhet të jenë për më pak se 20 nxënës. Shkollat që kanë më pak se 20 nxënës grupohen dhe është kryetari i KPL-së që e përcakton qendrën ku do zhvillohen provimet.

Datat e provimeve të lirimit

1. Gjuhë e Huaj, 14 qershor 2016
2. Gjuhë Shqipe, 18 qershor 2016
3. Matematikë, 23 qershor 2016
4. Gjuha Amtare, për nxënësit e pakicave
kombëtare (greke dhe maqedonase) 17 qershor 2016
n Provimet kombëtare të arsimit bazë fillojnë në orën 10:00 dhe zgjasin 2 orë e 30 minuta.
n Lista e gjuhëve të huaja që do të jepen si provim janë: anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht, në nivel gjuhësor A2.
n Provimet zhvillohen vetëm në ambientet e shkollave publike.
n Ambientet duhet të mbajnë jo më pak se 20 nxënës.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: