NGA: OLA MITRE*
Pas provimit të gjuhës së huaj me detyrim, Gjuhës Shqipe e Letërsisë dhe Matematikës, maturantët do t’u nënshtrohen 2 provimeve të fundit, që janë lëndët me zgjedhje. Ashtu sikurse është përcaktuar në udhëzimin e ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, ai do të zhvillohet në datën 24 qershor, ndërkohë që “Gazeta Shqiptare” zbardh sot temat kryesore mbi të cilat do të hartohet teza e Anglishtes, Gjeografisë dhe Qytetarisë. Për provimin e Anglishtes me zgjedhje, nxënësi duhet të zotërojë nivelin B2, në mënyrë që të jetë i përgatitur për të zgjidhur tezën, ndërsa duhet të demonstrojë aftësitë dhe njohjet e tij për ato çka ka mësuar përgjatë viteve të gjimnazit. Teza do të jetë e ndarë në 3 seksione, ku testohen: Të kuptuarit e një pjese letrare ose joletrare, përdorimi i gjuhës që përfshin aspektet më të rëndësishme gramatikore dhe leksikore trajtuar në vitet e shkollës së mesme, dhe të shkruarit.

Seksioni i parë dhe i dytë do të përbëjnë nga 40% të peshës specifike, ndërkohë që të shkruarit ka 20% të saj. Pikët maksimale që mund të grumbullohen janë 40. Ndërkaq, testi i provimit të Qytetarisë synon të vlerësojë atë çfarë di dhe është i aftë të bëjë nxënësi në fund të shkollës së mesme në këtë lëndë. Kjo do të thotë se maturanti do të testohet për të vlerësuar shkallën e përvetësimit prej tij të njohurive, të ideve dhe të koncepteve bazë të lëndës. Ndaj programi orientues i kësaj lënde përmban pikërisht fushat, temat, çështjet dhe konceptet kryesore të përzgjedhura për t’u testuar në këtë provim. Po ashtu, maturanti testohet për aftësitë intelektuale të vëzhgueshme dhe të matshme, të synuara nga programi dhe të zhvilluara në lëndën e Qytetarisë në shkollë, të tilla si: Aftësia për të identifikuar dhe për të përshkruar, për të shpjeguar dhe për të analizuar (nivel mesatar i aftësive intelektuale) si dhe aftësia për të vlerësuar, për të marrë dhe për të mbrojtur qëndrime të caktuara.

Teza e këtij provimi do të jetë e ndarë në 13 linja, e më konkretisht: Ligji dhe ne, Kushtetuta e Shqipërisë dhe të drejtat e njeriut, familja, shkolla, fëmijëria, rritja e fëmijës, puna, mjedisi, shëndeti, ushqimi, konsumatori, siguria rrugore dhe informimi. Secila prej këtyre temave ka një peshë specifike që varion nga 6-9%. Testi për lëndën Gjeografi bërthamë do të ndërtohet në mënyrë të tillë që në të, të jenë të përfshira të tria nivelet e vështirësisë: niveli bazë, niveli mesatar dhe niveli i lartë. Njëkohësisht, edhe shpërndarja e pikëve në test do të jetë në varësi të përqindjeve që zë çdo nivel, e më konkretisht: 40% për nivelin bazë, 40% për nivelin mesatar dhe 20% për nivelin e lartë. Teza e Gjeografisë do të përbëhet nga tri linja. Pjesa e parë do të fokusohet te Shkenca e Tokës, ku përfshihen: Sistemi diellor, hartografia, gjeosistemet, dinamika e Tokës dhe mjedisi e shoqëria. Pjesa e dytë ka të bëjë me gjeografinë rajonale të botës, ku do të futen: Gjeografia rajonale dhe tipet e rajoneve dhe rajonet.

Ndërkaq, në pjesën e tretë teza do të përmbajë pyetje mbi gjeografinë e Shqipërisë dhe të trevave të tjera shqiptare. Në këtë pjesë do të përfshihen: Vendndodhja gjeografike, sistemet fizike, sistemet humane, ndërveprimi njeri-mjedis dhe rajonet. Ashtu sikurse është bërë e ditur edhe më herët, këtë vit shkollor Matura Shtetërore do të jetë vetëm një provim dalës dhe jo hyrës për pranimet në universitete. Kjo pasi vetë universitetet përcaktojnë kriteret për pranimet e reja, ku përfshihet nota mesatare e viteve të gjimnazit, përfshirë dhe provimet e Maturës Shtetërore si dhe nota mesatare e gruplëndëve që përzgjidhen si prioritare nga fakultetet përkatëse.
(Programet orientuese mund ti lexoni sot ne Gazeta Shqiptare ne print)
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: