NGA OLA MITRE

Urdhri i Infermierit të Shqipërisë ka përcaktuar afatet kohore në të cilat do të bëhet regjistrimi i infermierëve, mamive, fizioterapistëve, teknikëve të imazherisë, teknikëve të laboratorit dhe logopedëve në provimin e praktikës apo siç njihet ndryshe Vlerësimin e Aftësimit Profesional. Sipas UISH-së, të gjithë praktikantët e këtyre profileve, që kanë përfunduar praktikën, duke filluar nga data 15 mars do të duhet të dorëzojnë dokumentet e nevojshme, në mënyrë që të fitojnë të drejtën të futen në provim.

Për këtë arsye, këta kandidatë, duhet të dorëzojnë Librezat e Praktikës dhe kërkesën për pjesëmarrje në Vlerësimin e Aftësimit Profesional, ku do të përcaktojnë saktë për të satën herë hyjnë në testim. Po ashtu, dokumentacioni duhet të plotësohet edhe me një dokument identifikimi si dhe me fotokopjen e diplomës dhe listës së notave. Sipas UISH-së, këto dokumente do të dorëzohen pranë zyrave ku është bërë regjistrimi për të ndjekur këtë praktikë, ndërkohë që afati i fundit është data 17 mars.

Sa i takon provimit, Urdhri i Infermierit bën me dije se ai do të zhvillohet në periudhën 8-15 prill, ndërkohë që të gjithë kandidatëve që janë për herë të parë në VAP, emri për në Provim Shteti u kalon automatikisht nëse e kalojnë provimin. Ndërkaq, për të gjithë ata që janë përsëritës në Provimin e Shtetit, në datat 20, 21 dhe 22 mars 2017 do të bëhet dhe konfirmimi i pjesëmarrjes në sezonin e radhës, duke dorëzuar: Kërkesën me shkrim për pjesëmarrje në këtë provim, ku do të përcaktojnë saktë për të satën herë hyjnë në Provim Shteti.

“Në rast se konstatohet që keni deklaruar gabim, penalizoheni duke u skualifikuar nga e drejta për të dhënë provimin këtë sezon”, saktëson UISH. Po ashtu, këta kandidatë duhet të plotësojnë dokumentacionin me fotokopje të kartës së identitetit, fotokopje të kartës së praktikantit si dhe fotokopje të diplomës e listës së notave.

Procedura
Gjatë vitit 2012, Urdhri i Infermierit ndryshoi kushtet për të gjithë kandidatët që dëshironin të hynin në Provimin e Shtetit. Sipas këtyre ndryshimeve, të interesuarit, përveç praktikës profesionale, i nënshtrohen një testimi profesional në fund të saj, ndërkohë që vetëm nëse vlerësohen pozitivisht në të, kanë të drejtë të regjistrohen për Provimin e Shtetit. Konkretisht, studenti i diplomuar në infermieri, fizioterapi, logopedi, teknikë imazherie dhe teknikë laboratori, ditën që regjistrohet, merr librezën e praktikës profesionale.

Në këtë librezë mbahen shënimet ditore përgjatë 12 javëve që studenti realizon praktikën, të cilat firmosen çdo ditë nga drejtuesi i saj. Në fund, libreza e firmosur nga drejtuesit vlerësohet me një numër pikësh të caktuara. Saktësisht, ato janë nga 10 deri në 25 pikë, të cilat i njihen kandidatit gjatë realizimit të testimit profesional.

Ai e merr librezën, dhe 10 ditë para datës së provimit e dorëzon atë pranë urdhrit profesional dhe regjistrohet për dhënien e testimit profesional. Testimi profesional jepet para një komisioni të posaçëm të ngritur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Urdhri i Infermierit, ku kandidatët do të përgjigjen me gojë dhe praktikisht.

Për këtë sezon Urdhri i Infermierit nuk ka publikuar detaje të provimit të praktikës profesionale, çka do të thotë se ato do të jenë të njëjta me ato të vitit të kaluar. Kështu, ashtu sikurse vitet e kaluara, kandidati u përgjigjej 5 pyetjeve, të cilat ishin në programin e praktikës profesionale, ndërsa secila vlerësohej me nga 1 deri 25 pikë. Pikët maksimale ishin 100, ndërkohë që për ta kaluar me sukses kandidati duhej të merrte 50 pikë.

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: