Ministri i Mbrojtjes në Serbi, Aleksandar Vulin ka vazhduar me teoritë e tij për zgjidhjen e problemeve Kosovë-Serbi. Edhe një herë ai e ka përmendur mundësinë për ndarjen e Kosovës. Sipas Vulinit, një zgjidhje e tillë do ta pengonte krijimin e “Shqipërisë së Madhe”. “Ndarja si një zgjidhje e problemit me Kosovën, është vetëm njëra nga idetë. Shqipëria e Madhe duhet të ndalet në Kosovë. Përndryshe ndalja e destabilizimit në rajon nuk do të ishte e mundur”, tha Vulin, transmeton lajmi.net. Sipas tij, ndryshimet e kufijve në Ballkan kurrë nuk do të mund të bëheshin pa përkrahjen e shteteve të mëdha.

“Kurrë nuk ndryshojnë kufijtë pa përkrahjen e fuqive të mëdha. Por në qoftë se ata kujdesen për paqe të qëndrueshme në Ballkan, dhe të vendosin kufij të qartë. Atëherë do të ndalohej Shqipëria e Madhe”, thotë ministri kontravers serb. Por, ai e ka theksuar përsëri që këto janë vetëm qëndrime të tij personale. Vulin thotë se qytetarët e Serbisë do të duhet të deklarohen për zgjidhjen e problemit me Kosovën. “Kur më pyesin si e sheh situatën në rajon, atëherë shihet se situate është e paqëndrueshme. Ndryshimet e qeverisë, vendet e varfra, faktorët e jashtëm, dhe nacionalizmi i fundit që është në kuptimin e keq për serbët”, thotë tutje Vulini.

Sipas ministri serb, Evropa duhet të reagojë për deklarata e Edi Ramës për një president mbarëkombëtar te shqiptarët. “Që atëherë ka heshtje, ata nuk e kuptojnë se ka qarqe politike që e duan Shqipërinë e Madhe. Ky është rreziku më i madh”, përfundoi Aleksandar Vulin. Ndarje të Kosovës si zgjidhje me Serbinë, kanë paralajmëruar edhe zyrtarë tjerë serbë, të cilët e shohin këtë opsion si fitore për ta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb