Deputetja dhe njëkohësisht kryetarja e Partisë Socialiste në Tiranë, Blerina Gjylameti, në një konferencë për shtyp paraditen e sotme i kërkoi kryetarit të PD, Lulzim Basha, që të japë llogari për 1 milionë dollarët të lobuara në SHBA.

Në fjalën e saj, Gjylameti gjithashtu i bëri thirrje prokurorisë që ta hetojë këtë skandal.

“Basha nuk mund t’i shpëtojë këtij skandali, duke na akuzuar, për të hequr baltën që ka mbi vete. Kush i pagoi këto para, cili është burimi i tyre, pse prokuroria nuk nis hetimet. Ai duhet të shpjegojë se çfarë bëri në vizitën e tij në Washington. Janë mbi 500 mijë dollarë të një kompanie lobiste, me krijimin e farsës se Washington-i mbështet çadrën dhe opozitën. Shpenzimet e Partisë Demokratike nuk janë deklaruar,” tha Gjylameti.

Pak orë më pas, kryedemokrati Lulzim Basha i pyetur nga gazetarët në lidhje me këto akuza jashtë ambienteve të kryesisë së Kuvendit, tha se në këtë mënyrë qëveria kërkon të largojë vëmendjen nga skandalet e veta.

“Një shashkë e bazuar në mashtrime që s’mund të largojë vëmendjen nga skandalet e jashtëzakonshme të kësaj qeverie,” u shpreh Basha.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb