TIRANE– Përpara se të shpallë listën zyrtare të kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 18 qershorit, Edi Rama nis vettingun e grupit aktual parlamentar.

Burime brenda Partisë Socialiste i thanë Top Channel se Rama u ka ngarkuar drejtuesve të 12 qarqeve listat e deputetëve, si dhe ka kërkuar më shumë gra e të rinj si asnjëherë tjetër.

Por përpara konfirmimit të deputetëve aktualë, kreu i selisë rozë ka vendosur ta kalojë në sitën e Adriatik Llallës të gjithë grupin e tij parlamentar. Ai i ka nisur një letër prokurorit të përgjithshëm që i kërkon verifikimin e të gjithë deputetëve aktualë.

1492796136LISTA E RAMES_198_14
Siç shkruan Rama, Partia Socialiste, si forcë kryesore, është e angazhuar shumë seriozisht për fuqizimin e konsolidimit të besimit në popull, duke filluar që nga deputetët.

Ndaj në kuadër të ligjit të Dekriminalizimit, Rama i kërkon që të marrë në konsideratë këtë kërkesë për të kryer verifikimet e të gjitha të dhënave të deklaruara nga deputetët e PS dhe të dërgojë një përgjigje përpara 29 prillit, ditës kur në KQZ do të dorëzohet zyrtarisht lista me emrat e kandidatëve për deputetë.

Nuk dihet nëse në listën bashkangjitur, e cila është top sekret, Rama ka përfshirë edhe kandidaturat e mbledhura nga drejtuesit e qarqeve. Por selia rozë konfirmon se lista e 29 prillit do të ketë kaluar më parë në filtrin e vetëpastrimit total.

Burimet thonë se fshesa e këtij vettingu surprizues do të kalojë mbi gjithë deputetët aktualë e të rinj të PS. Mësohet se ky vetting ka edhe një “prokuror” tjetër në selinë rozë: Gramoz Ruçin.

Ky i fundit do të paraqesë në kryesi raportin e kontributeve politike të deputetëve, pjesëmarrjen e tyre në mbledhjet e grupit parlamentar, në seancat e Kuvendit dhe të komisioneve parlamentare; praninë e tyre pranë bazës socialiste dhe elektoratit; si edhe ecurinë e deklaratave të tyre të pasurisë gjatë këtij mandati qeverisës.

Të pyetur për vërtetësinë e këtyre zërave për kontrollin e drejtuar nga Gramoz Ruçi, zyrat e Edi Ramës në PS dhe Kryeministri u përgjigjën njësoj: “No comment”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: