Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

PS nuk heq dorë: Arsyet pse duhet të shkarkohet kreu i KQZ, Klement Zguri

WhatsApp Image 2017-11-14 at 2.49.34 PM

TIRANE– Gjatë një deklarate për mediat, deputetja e PS, Klotilda Ferhati tha se kreu i KQZ i propozuar nga PD si pjesë e marrëveshjes Rama-Basha, Klement Zguri ka shkelur ligjin.

Klotilda Ferhati tha se KQZ mori vendimin për të mos i hequr mandatin kreut të bashkisë së Mallakastrës Agron Kapllanaj i cili vjen nga radhët e PD, në kuadër të ligjit të dekriminalizmit.

“Duke u bazuar në dispozitat e ligjit të dekriminalizimit, ne kërkojmë shkarkimin e kreut të KQZ Klement Zguri. Kreu i KQZ mbrojti Agron Kapllanaj, pasi kanë të njëjtat bindje politike. Sjellja e Zgurit tregon për njëanshmëri politike”- tha Ferhati.

Fjala e plotë:

Jam këtu për t’ju informuar se sot ne, deputetët e mazhorancës, i kemi paraqitur kryetarit të Kuvendit kërkesën për shkarkimin nga detyra të kryetarit të KQZ Klement Zguri për shkelje të rënda të ligjit të dekriminalizimit.

Siç i kemi bërë me dije edhe më parë opinionit publik, kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve z. Klement Zguri arkivoi pa e shqyrtuar në KQZ vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme për subjektin Agron Faslli Kapllanaj, kryetar i Bashkisë Mallakastër, person ky, i cili rezulton se është dënuar nga gjykata e shtetit italian me vendim të formës së prerë për vjedhje.
Vlerësimi individual që Klement Zguri i ka bërë kësaj çështjeje nga pozita e drejtuesit të KQZ është shkelje e hapur e ligjit nga ana e tij, pasi duhej të ishte Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve si organ kolegjial dhe jo kryetari i këtij komisioni si individ, organi që duhej të shqyrtonte (maksimalisht brenda 10 ditëve, sipas ligjit) në mbledhje publike rezultatet e vendimit të Prokurorisë për kryetarin e Bashkisë Mallakastër, Agron Kapllanaj.

  1. Zguri është zgjedhur në detyrën e kryetarit të KQZ si pasojë e marrëveshjes politike të 18 Majit, pa marrë në konsideratë cilësitë që duhet të karakterizojnë nga aspekti i integritetit apo profesionalizmit një kryetar të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Pavarësisht kësaj, ai nuk arriti të ngrihet mbi të kaluarën partiake, duke humbur kështu dhe besimin e investuar për të në marrëveshjen politike të 18 Majit.

Ngjarja e fundit, ku ai përmes veprimeve e mosveprimeve të tij i shtyu sa mundi jetën politike një të përzgjedhuri lokal me rekorde të rënda kriminale, vetëm e vetëm sepse është i të njëjtit krah politik me të, është për ne shembull konkret i njëanshmërisë politike dhe mungesës së profesionalizmit.

Thënë këtë, dhe duke u bazuar në dispozitat e ligjit të dekriminalizimit që zbatohet me përparësi ndaj Kodit Zgjedhor dhe  nenit 18, (pika dh) të këtij kodi, ne kërkojmë shkarkimin e z. Klement Zguri nga detyra e kryetarit të KQZ.

(d.d/BalkanWeb)





Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.