Dega e Partisë Socialiste në Delvinë ka denoncuar sot në Polici tentativat, sipas saj të LSI-së për blerje vote.
Në faksimilet e denoncimit të siguruar nga “BalkanWeb” raportohet se “është konstatuar se në shkollën ‘Xhelal Berberi’ në lagjen Papuci, nga përfaqësues të LSI po shpërndahen para tek votuesit”.
Në denoncim sqarohet edhe skema se si po realizohet sipas PS-së blerja e votës për 50 euro, nga Bako Balili, vëllai i Klement Balilit i njohur ndryshe si “Eskobari i Ballkanit” i shpallur në kërkim për trafik ndërkombëtar droge.
“Ky proces bëhet duke kaluar të gjithë zgjedhësit nga një ambjent privat që shërben si lokal dhe banesë i vendosur në të djathtë. Në hyrje të lokalit votuesit priten nga persona që i ftojnë brenda për të pirë një kafe. Më pas ata ulen në një tavolinë brenda lokalit, në katin e parë dhe aty i bëhet pagesa nga shtetasi i dyshuar si Bako Balili. Pas kësaj votuesit dalin nga dera tjetër e lokalit dhe shkojnë për të votuar. Në kthim votuesit kthehen përsëri në lokalin ku kanë marrë pagesën për të treguar se ata kanë votuar”, – thuhet në denoncimin e PS-së.
(BalkanWeb)