NGA: NASER PAJAZITI

Negociatat në Bruksel dështuan pa marrëveshje. Gruevski dhe Zaevi nuk tërhiqen, ndërsa Ahmeti dhe Thaçi ngelën në rolin e spektatorëve që bëjnë sehir dhe fërkojnë duart.

Gruevski, ky politikan në dukje naiv, me lojën e tij politike të krijon përshtypjen se prej nga po buron fuqia e pushteti të tij.

Këtë zhdërvjelltësi po e lejon edhe vetë Bashkimi Evropian, duke u futur në labirinthet e pushtetit të tij të kriminalizuar që ishte toleruar me vite të tëra.

Erwan Fouere, na ishte njëherë ambasadori model i BE-së në Shkup që shëtiste kafene në kafene dhe luante edhe DJ, në një kohë kur ky pushtet po trasonte skenarin e kapjes së shtetit.

Ai sot pa fije turpi shfaqet dhe shet leksione demokracie, atakon këtë pushtet për të cilin dikur thurrte elozhe për reforma dhe suksese në rrugën e integrimit evropian.

Një karrierë të ngjajshme miope përfundoi edhe Stefan Fule, ish-komisioneri i zgjerimit.

Këto dy figura teknokratësh të politikave dhe vlerave evropiane e bëjnë përgjegjës Bashkimin Evropian për situatën e krijuar në Maqedoni.

Brukseli mban përgjegjësi për jetëgjatësinë e këtij pushteti që vështirë po dorëzohet.

Sa më shumë po vazhdojnë betejat disfatiste në tryezën përballë Gruevskit, aq më shumë po shtohen dilemat dhe dyshimet se mos vallë ka diçka sekrete hipotetike në relacionin midis selisë së BE-së dhe pushtetit në Shkup.

Kjo po rrit dozën e pakënaqësive dhe konspiracioneve se BE gjithmonë ka dështuar në misionet e tij të arritjes së marrëveshjeve paqësore apo zgjidhjen e krizave të ndryshme.

Këto skenare si duket Gruevski dhe mentorët e tij i kanë kuptuar dhe andaj Gruevski i buzëqeshur dhe tejet sfidues nuk humbte barazpeshën nëpër korridoret dhe tryezën e selisë së KE-së në Bruksel.

Pra me dështimin e këtyre negociatave Brukseli po dëshmon dhe po tundohet sërish se nuk ka kapacitetet e menaxhimit dhe zgjidhjes së krizave.

Gjithmonë keqardhjet dhe zhgënjimet janë porositë e liderëve evropian pas çdo misioni të dështuar diplomatik negociatash.

Kjo po i ndodhë edhe diplomatit austriak Johannes Hahn, i cili përmes twitterit shfaqi ndjesinë e njejtë dhe zhgënjimin me politikanët e Shkupit që shkoqën autoritetin e BE-së.

Në gjithë këtë koklavitje, çfarë bën Ali Ahmeti, që po mban anijen e piratëve të VMRO-DPMNE që po fundoset bashkë me kryekusarin Gruevski.

Pse nuk del prej Qeverie dhe lehtë bie Gruevski. Ai nuk do t’i ketë votat e duhura për formimin e një maxhorance të re dhe do të sfilitetet në betejën e tij.

Pushteti i tij është lëkundur dhe në defanzivë pas ikjes së deputetes Liljana Popovska, mëdyshjes së deputetit Pavle Trajanov, apo edhe hutisë së deputetëve të partive të minoriteteve të tjera, të cilët lehtë mund të braktisin anijen e pushtetit.

Ali Ahmeti pa gjetur arsyet banale strategjike dhe pa shitur demagogji, duhet t’i thotë lamtumirën bashkëqeverisjes me Gruevskin.

Nëse kjo nuk ndodhë atëherë flasim për diçka tjetër, për kapjen e tij apo të njerëzve të tij nga pisllëqet praktikuese në rrethin vicioz të pushtetit të dyshes Gruevski – Mijallkov.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb