Nga: Akhilesh PILLALAMARRI

Gjatë protestave të Iranit që filluan në fund të dhjetorit të 2017, iranianë nga gjithë vendi protestuan për kushtet ekonomike dhe politike dhe shumë prej tyre vunë në pikëpyetje ndërhyrjen e Iranit në Siri dhe Gaza, shkruan ‘The Diplomat’.
Në mënyrë interesante, jo shumë individë që protestonin, shumica prej zonave rurale dhe të varfra, bënë thirrje për një republikë laike ose një demokraci liberale. Në fakt shumë prej tyre përdorën slogane pro-monarkisë si ‘Shah Reza, bekuar shpirti yt’, ‘Jetë të gjatë Shah Reza,’ në referencë të Shahut Reza që themeloi dinastinë Pahlavi në vitin 1925.
Megjithëse në kundërshtim me trendet nëpër botë gjatë dy shekujve të fundit, rivendosja e monarkisë kushtetuese në Iran është mjaft e mundur, sepse është banderola që mund të bashkojë shumë iranianë nga breza të ndryshëm kundër Republikës Islamike, përfshirë mërgimtarët dhe të varfrit nga zonat rurale.
Megjithëse shumë nga kjo nostalgji është retrospektive – sidomos pasi monarkia ra sepse liberalët, komunistët, klerikët dhe të varfrit konservativë u bashkuan të gjithë kundër saj – monarkia është një alternativë tradicionale ndaj teokracisë.

Shumica e ‘republikave’ afër Iranit janë diktatura të maskuara si demokraci të turpshme ndërsa vendet që kanë qeveritë më të mira përfaqësuese dhe udhëheqje tradicionale si dhe monarkitë kushtetuese të rajonit, si Jordania dhe Maroku.

Iranianët nuk kanë memorie të ndonjë forme qeverie përveçse monarkisë së Shtëpisë së Pahlavit, ose Republika Islamike, e themeluar nga Ayatollah Ruhollah Khomeini në vitin 1979. Shumë organizata të tjera opozitare si Mojahedin-e Khalq apo Partia komuniste Tudeh kanë pak mbështetës. Dhe liderët laikë në Tehran nuk kanë plane konkrete përveçse dëshirojnë një shtet demokratik laik.
Shumë protestues gjithashtu brohoritën “O Shahu i Iranit, kthehu në Iran.” Ky individ, djali i të ndjerit Shahut Mohammad Reza, duket sikur po e pozicionon veten për një rikthim të mundshëm në Iran, nëse e thërrasin.
Princi i Kurorës së Iranit, Reza Pahlavi, i cili jeton në mërgim në SHBA, ka argumentuar se është një demokrat dhe jo një monarkist, ndërsa ka pohuar se: “ Për kë mendoni se po brohorasin njerëzit sot atëherë? Mendoj se ata e kuptojnë se unë jam një person që ata kanë besim, një person që ata e dallojnë se ka një kapital të caktuar politik që lidhet me këtë emër (Pahlavi). Ata e lidhin me modernizimin dhe progresin që Irani kishte dikur.”

Monarkia iraniane shihet nga shumë njerëz si simbol i modernizimit, lidhjes me pjesën tjetër të botës, një lidhje me trashëgiminë para-islamike të Iranit dhe madje edhe si simbol i lirisë; ndoshta jo të lirisë politike por asaj sociale dhe kulturore. Gjithashtu rritja ekonomike ishte shumë më e madhe gjatë sundimit të Shahut.

Dhe Shahu Reza shpëtoi Iranin në një prej periudhave më të errëta të vendit, ndërsa në mënyrë ironike, u ndihmua të ngjitej në fron nga të njëjtët klerikë që rrëzuan të birin. Gjeneral Brigadieri Reza Khan, një oficer në Brigadën Persiane të Kozakëve, u rrit në një kohë kur Irani ndodhej në një gjendje të rëndë rrënimi dhe dobësie.
Megjithatë, ishte vetëm në sajë të politikave të suksesshme ushtarake dhe centralizuese të Reza Khan, që u bë Shah Reza në 1925, pasi hodhi poshtë Dinastinë Qajar, që Irani nuk u copëtua. Por Shah Reza në fillim nuk planifikoi të themelonte një monarki; në fakt ai dëshironte të ngrinte një republikë. Klerikët, populli konservativ dhe liberalët të gjithë kundërshtuan shpërbërjen e monarkisë për arsye të ndryshme, kështu që Dinastia Pahlavi zëvendësoi Dinastinë Qajar.

Në mënyrë ironike, klerikët shpëtuan monarkinë në 1925 dhe në 1953 kur ata mbështetën djalin e tij Shahun Mohammad Reza kundër Kryeministrit të majtë Mohammad Mossadeq, i cili konsiderohej shumë socialist dhe i lidhur me Bashkimin Sovjetik. Megjithëse më vonë, shumica e popullsisë iraniane u kthye kundër regjimit autokratik Pahlavi, ajo që morën në shkëmbim ishte më shumë autokraci dhe izolim nga komuniteti global.

Duke qenë se Irani humbi momentin e tij republikan, monarkia shihet si një alternativë legjitime ndaj Republikës Islamike. Trashëgimia e dinastisë Pahlavi, është “modernizimi, sekularizmi dhe nacionalizmi” kështu që ndoshta sot, një kombinim i mbështetjes nga liberalët, nacionalistët, mërgimtarët dhe të varfrit nga zonat rurale mund t’i hapë rrugën rivendosjes së monarkisë kushtetuese iraniane.
(Përktheu për BalkanWeb/Aleksandra Kola)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb