Duhen edhe dy javë nga grumbullimi i radhës për kuqezinjtë, mirëpo Shqipëria duket më e përgjysmuar se kurrë përpara dy sfidave me kundërshtarët më të vështirë në grup: Spanja dhe Italia. Kristian Panuçi vazhdon të marrë lajme negative nga futbollistët e kombëtares shqiptare. Dje janë dëmtuar dy lojtarë të tjerë, të cilët, në ndeshjet e radhës ndaj Spanjës dhe Italisë, me shumë mundësi, do të luanin si titullarë.

DËMTIMET
Gjatë ndeshjes së Bundesligës mes Bajer Leverkusenit dhe Frajburgut, mesfushori Amir Abrashi la fushën e lojës në minutën e 28-të duke çaluar. Gjatë një dyluftimi në mesfushë, futbollisti shqiptar u shtri në fushë dhe bëri me shenjë për t’u zëvendë- suar, pasi nuk mund të vazhdonte më.

Shenjat e para tregojnë se mund të jetë një dëmtim i rëndë, por gjithçka do të mësohet më saktësisht pas kryerjes së analizave. Ndërkohë edhe Berat Gjimshiti ka pësuar një dëmtim, i cili e ka lënë jashtë listës së të grumbulluarve të Beneventos për ndeshjen e sotme ndaj Napolit.

Mbrojtësi ka postuar një video në rrjetet sociale, ku tregon se është duke bërë terapi për të kaluar dëmtimin. Edhe për të nuk dihet se sa mund të qëndrojë jashtë fushave. Nëse Abrashit dhe Gjimshitit i shtojmë edhe Ajetin që u dëmtua të shtunën, Balajn që ka disa kohë i dëmtuar, Kukelin, Roshin dhe Mavrajn që janë të pezulluar, kuptohet lehtësisht që kombëtarja shqiptare është në një emergjencë totale për futbollistë para dy ndeshjeve tepër të vështira.
Kombetarja3-470x362
FORMACIONI
Me situatën aktuale që kanë kaluar legjionarët në këtë fundjavë, formacioni i Shqipërisë përballë Spanjës do të ishte krejtësisht një… eksperiment. Mjaft të mungojnë tre qendërmbrojtësit Mavraj, Ajeti dhe Gjimshiti. Në të majtë, kapiteni Agolli është ende në fazë rikuperimi, ndërkohë që Kukeli e Roshi mungojnë për çështje pezullimi.

Në këto kushte, dy “rebelët” Xhaka dhe Ergys Kaçe duket se do të “fërkojnë duart”, pasi krijohet mundësi që të rikthehen në përfaqësuese. Alternativat momentale për Panuçin do të formësonin një formacion eksperimental:

Përveç kualitetit Berisha-Strakosha, në mbrojtje rreshtohen Balliu, Hysaj, Veseli e Memolla. Në mesfushë, përveç Grezdës dhe Llullakut nga krahët, Lila, Basha e Memushaj do të plotësonin mesfushën. Në sulm, Sadiku po luan rregullisht, ndërkohë që trajneri ka lënë të kuptohet edhe kthimi i Cikalleshit./Panoramasport.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: