Nga: Julian ZYLA

Po afron vera. Do të fi llojmë të dëgjojmë këngë të reja: hite. Hitet do të transmetohen shpesh. Ne do t’i dëgjojmë dhe, ndonjëherë pa vetëdije, do t’u mësojmë fjalët. Disa nga këngëtarët do të bëhen më të famshëm. Por, për sa kohë do të na mbeten në mendje? Vetëm për kohën që ato do të transmetohen. Ato ikin nga TV dhe radiot tona, ne i heqim nga mendja. Ditët do të kalojnë dhe ne do t’i harrojmë e do të vazhdojmë me jetën tonë. Do të kujtohemi se kënga jonë e preferuar është një këngë e disa dekadave më parë, e cila nuk fliste për veten, miqtë apo armiqtë e saj, por, për ne. Ajo na njihte, madje na njohu me gjëra që as vetë nuk i kishim menduar.

Po debati politik i kohëve të fundit në Shqipëri, çfarë përmban, hite apo këngë të preferuara? Ritme të nxehta punësh politikanësh na shoqërojnë në TV dhe radio. Ndonjëherë u mësojmë dhe fjalët. Po ato, a na njohin? A do të jenë kënga jonë e preferuar? A do të jenë këngët që ne do të votonim?
Partia Demokratike ka bërë një punë të mirë duke ngritur zërin për standarde morale. Një tematikë e tillë, e transmetuar në vazhdimësi me volumin deri në fund dhe e kërcyer në sallat më të njohura të emisioneve, krijon përshtypjen se është bërë temë e rëndësishme për shqiptarët. Strofa të përpunuara me kujdes servirin informacione nga më të detajuarat. Shqiptarët ende po presin të mësojnë parfumin që përdor vëllai i Fatmir Xhafajt. (Të gjithë hamendësojnë aromë bimore.) Por, me gjithë statusin prej hiti që ka marrë, kjo çështje nuk mund të garantojë vota apo Hollin e Famës për partinë autore.
Çështja e Fatmir Xhafajt nuk është as tema më e rëndësishme e as temë e rëndësishme për shqiptarët. Politika mund të imponojë hite. Por mund të krijojë këngë të preferuara vetëm nëse njeh njerëzit. Për më tepër, protesta për dorëheqjen e Fatmir Xhafajt më datë 26 maj përmban një moment stonimi që në ide nga ana e opozitës: A nuk mundet Xhafaj të japë dorëheqjen përpara datës 26 maj? Çfarë do të bëjë Partia Demokratike në atë rast? Do të anulojë protestën? Apo do të vazhdojë, duke vërtetuar atë që shqiptarët perceptojnë prej shumë kohësh: që synimi i këtyre protestave nuk është çështja që deklarohet, por vetëm largimi i Ramës.
Kur njerëzit të ftohen për të marrë pjesë në protestë, nuk do të kemi politikanë që merren me çështjet apo punët e njerëzve, por do të kemi njerëz që thirren për t’u marrë me punë politikanësh.
Në çdo rast, hitet ekzistojnë dhe ne nuk kemi zgjedhje përveçse të krijojmë një mendim dhe për to. Në rastin konkret, është bërë një punë e mirë në krijimin e refrenit të vëllait të dënuar, edhe pse ishte një melodi e hershme. Ashtu si “Non mi avete fatto niente”, pavarësisht refrenit të kënduar më parë, fitoi Sanremon, edhe opozita arriti të tërheqë vëmendjen me një ripërpunim. Këto kushte e vendosin z. Xhafaj në rolin e ministrit të Brendshëm që sa më shpejt jep dorëheqjen, aq më shpejt i heq opozitës melodinë e saj. Kështu, i jep mundësinë partisë së vet të thotë se ministrat tanë japin dorëheqjen edhe për gjëra që nuk i kanë bërë vetë.
Nëse Partia Socialiste mban z. Xhafaj në detyrë, duhet të përgatisë një hit më të fuqishëm se ai i opozitës. Ose duhet të krijojë një këngë të preferuar. Duke pasur parasysh që hiti i Xhafajt mund të vazhdojë, PS duhet të vazhdojë të flasë për punët e njerëzve. Njerëzit dëgjojnë, ngrenë volumin dhe pëlqejnë kur politika arrin t’i njohë.
Fushata e Partisë Demokratike do të mund të çojë në zëvendësim ministri. Sa herë që merren me punët e këtij apo atij politikani, PD do të ketë rezultatet që do, brenda zyrave qeveritare. Por, për të depërtuar te njerëzit nuk mjaftojnë punë politikanësh, duhet t’i njohësh. Duhet të flasësh pa pushim për gjërat që i prekin nga afër.
Çfarë na prek më shumë, politika apo ekonomia? Ata që nuk rrinë pa gjumë për politikën, preken më shumë nga ekonomia. Çfarë është më interesante, politika apo ekonomia? Punët e politikanëve janë më interesante. Por, ashtu si hitet, jemi të prirur t’i harrojmë. Atëherë, a duhet të flasim për diçka jo interesante si ekonomia? Jo, nuk është e nevojshme. Duhet të flasim për njerëzit. Ata dhe punët e tyre përmbajnë ekonominë. Dhe janë interesantë, edhe më shumë se politika.
PS duhet të kuptojë që edhe hitet, gjithsesi, kanë efektet e tyre. Ashtu, si pa vetëdije, ne i përtypim, i mësojmë, fillojmë t’i përsërisim. Duhet një strategji koncertesh, përveçse puna për të krijuar këngë të preferuara. Kjo strategji koncertesh, nuk mund të mos marrë parasysh edhe hitet që qarkullojnë, qoftë si një nga pjesët e njohjes së njerëzve dhe mjedisit të tyre.
Po afron vera. Do të fillojmë të dëgjojmë këngë të reja: hite. Hitet do të transmetohen shpesh. Njerëzit shpresojnë që ndonjë prej tyre të lindë jo si dëshirë për t’u bërë i famshëm. Por si dëshirë për të krijuar diçka të mirë.
Burimi: http://www.gsh.al/2018/05/21/pune-politikanesh/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: