TIRANE- Gjatë kohës së prezantimit të reformës së ujit vëmendja u ndal dukshëm tek disa deklarata të Kryeministrit lidhur me puset që individët apo bizneset shfrytëzonin. Por ndërsa për individët Rama tha se nuk do të ketë pagesë por vetëm formalizim, pra deklarim, për bizneset nuk është kështu.

Këta të fundit do të duhet të paguajnë një tarifë për shfrytëzimin e ujit. E pas kësaj deklarate duket se është vijuar me hapat e radhës ku së pari është sanksionimi në një draft ligj i mënyrës sesi do të procedohet. Bëhet fjalë për draft ligjin “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, i cili është depozituar tashmë në Kuvend.

Në nenin 66 të këtij ligji saktësohet sesi do të veprohet nga bizneset për të deklaruar puset e ujit që ata kanë në shfrytëzim.

“Në nenin 66 propozohen disa ndryshime dhe shtesa, nisur nga problematika aktuale ku një numër i madh subjektesh fizike apo juridike kanë hapur puse për shfrytëzimin e ujërave nëntokësore ka lindur nevoja e formalizimit të kësaj veprimtarie nëpërmjet lehtësimit të procedurave të formalizimit të tyre. Afati brenda të cilit subjekteve do iu jepet e drejta e formalizimit do të jetë brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi e ligjit. Subjektet që vetëdeklarojnë veprimtarinë e tyre brenda afatit të përcaktuar nuk do të ndëshkohen për kundërvajtjen administrative të kryer. Për zbatimin e kësaj dispozite, Këshilli i Ministrave do të përcaktojë dokumentacionin që duhet të plotësojnë subjektet vetëdeklaruese”, thuhet në relacion.

Kjo do të thotë që nga momenti që ligji hyn në fuqi bizneset do të kenë gjysmë viti kohë për të vetëdeklaruar.

Pas kësaj duket se do të vijë edhe zbatimi i pjesës së dytë të planit të qeverisë që lidhet me tarifimin.

“Nuk bëhet fjalë për taksë pusesh, nuk bëhet fjalë për puset familjare. Kur themi puse, ka puse industriale. Ka fabrika uji që marrin ujë masivisht nga nëntoka. Nuk bëhet llaf për të vendosur taksë. Taksa është e tepër, por tarifë”, do të nënvizonte kreu i qeverisë në një prej daljeve të tij publike në nëntor të vitit të shkuar./monitor/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: