TIRANE-Liqeni i Farkës po shndërrohet dita ditës në një park të mirëfilltë dhe në një nga destinacionet më të frekuentuara të qytetarëve të Tiranës për të kaluar fundjavat dhe kohën e lirë. Si pjesë edhe e projektit të Pyllit Orbital, Bashkia e Tiranës dhe Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, me kontributin e Qendrës Sociale “Të qëndrojmë së bashku”, ka vijuar me mbjelljen e 100 pemëve të tjera në Farkë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, falenderoi të gjithë ata që iu bashkuan kësaj nisme dhe theksoi se kjo është mënyra më e mirë për t’i lënë gjeneratës së ardhshme një qytet më të mirë dhe më të shëndetshëm.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu me miqtë edhe mikeshat nga qendrat sociale. Më vjen mirë që pavarësisht se shumica e atyre që shkojnë në qendrat tona sociale janë në moshë të thyer, ndihen të rinj në shpirt. Besoj se paja më e mirë që i lëmë qytetit, pavarësisht nga mosha jonë, është një qytet më i gjelbër, me më shumë pemë, me më shumë oksigjen. Dua të falenderoj shumë të moshuarit që na japin ne të rinjve shembuj se si jetohet jeta me vepra dhe jo me fjalë. Më vjen mirë që ky kontribut shkon për të pasuruar parkun e Farkës”, shtoi kryebashkiaku Veliaj.
thumbnail_38108178222_6bc0b4f631_h

thumbnail_37430541264_1ea8e997b5_h
Ai nënvizoi se falë vëmendjes së kushtuar në këto dy vite në këtë zonë, Parku i Liqenit të Farkës po merr formë të plotë, ku veç mundësive për aktivitete sportive, po krijohet edhe një hapësirë e tërë me pemë dhe bimësi të tjera. “Sa herë vijmë në Farkë shkojmë edhe 100 metra më tej dhe në njëfarë mënyre, po ndodh një pushim i gjelbër i Farkës, ku çdo herë që kthehemi me 100-150 fidanë, kemi arritur ta shndërrojmë në parkun e dytë të Tiranës, për të thënë që sot Tirana ka dy parqe të kompletuara”, theksoi Veliaj.

Më tej, ai u shpreh se krahas mundësive rekreative që ofron Parku i Liqenit të Farkës, tashmë falë këtyre investimeve po përfitojnë edhe banorët e zonës nëpërmjet rritjes së vlerës së pronës. “Falë APR-së, në Farkë po zhvillohen edhe aktivitete sportive, të cilat kanë bërë që për gjithë banorët e kësaj zone, që është pjesë tani e Tiranës së madhe, të shtohet edhe vlera e pronës sepse thonë se e kemi shtëpinë te liqeni i Farkës, jo ai i Tiranës”, shtoi Veliaj. Ai i ka bërë thirrje edhe një herë të gjithë bizneseve, por edhe atyre individëve që kanë një rast gëzimi që duan ta fiksojnë në memorie, ta bëjnë këtë nëpërmjet dhurimit të një peme për pasurimin e parqeve dhe hapësirave të tjera në qytetet, siç janë lulishtet apo rrugët. “Dua që t’i ftoj të gjitha, shoqatat, organizatat, kompanitë, bizneset, sipërmarrjet, kush ka mundësi, kush ka takat, një pemë, 100 pemë, 1000 pemë, çdo dhuratë vlen dhe ne jemi njësoj mirënjohës pavarësisht se dikush na fal 1 apo 1000 pemë”, u shpreh Veliaj.

Kryetari i bashkisë bëri të ditur gjithashtu synimin për të vendosur këtë vit një rekord në qytetin e Tiranës sa i përket mbjelljes së pemëve dhe gjelbërimit të qytetit. “Ne duam që ta shfrytëzojmë maksimalisht muajt nëntor, dhjetor, janar, shkurt, mars për t’u siguruar që thyejmë rekordin tonë të 50 mijë pemëve që mbollëm vjet, për të kaluar në 100 mijë pemë sivjet. Nëse vazhdojmë me këtë ritëm do ta thyejmë këtë rekord dhe do të ndjehemi krenarë që ndoshta nuk bëmë gjithçka, por lamë një qytet më të pastër, më të gjelbër, me më shumë oksigjen”, bëri të ditur kryebashkiaku Veliaj. Deri më tani në liqenin e Farkës janë mbjellë 3200 fidanë të drurëve dekorativë, si dhe 2000 rrënjë fidanë ulliri e pyjorë në territore publike.
thumbnail_37430503484_d312c89704_h

thumbnail_26363403169_d98fa05abb_h

thumbnail_26363394719_59c574ee82_h

thumbnail_26363376119_35eb02aadc_h

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb