NGA ORNELA MANJANI

TIRANE- Fatura për kompensimin e pronarëve në bazë të zërit kadastral në momentin e sekuestrimit dhe vlera në bazë të hartës në fuqi është 200 miliardë lekë. Në rast se ligji nuk do të pezullohet nga Gjykata Kushtetuese, këto para do të ndahen brenda 10 vjetëve të ardhshme për ish-pronarët. Dokumentet e domosdoshme që duhet të dorëzojnë pronarët në Agjencinë e Trajtimit të Pronës pas hyrjes në fuqi të ligjit do të jenë vetëm dy: një dokument për origjinën e pronës me firmë dhe me vulë, dhe një dokument hartografik që tregon pozicionin e pronës në terren. Pagesat do të bazohen në një rend kronologjik, sipas datës së vendimit. Pagesat do të nisin nga vendimi i parë dhe me radhë”.

Detajet për implementimin e ligjit të ri të pronave janë bërë të ditura nga drejtoresha e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sonila Qato. Sipas saj, formula e zgjedhur për kompensim bazohet në dy parime: në përmbushjen e aftit të arsyeshëm për pagesa, që është 10 vjet, dhe në mundësitë e buxhetit të shtetit për të përmbushur detyrimin ndaj pronarëve. Sipas Qatos, në rast se do të ishte zgjedhur që prona të kompensohej me zërin kadastral të sotëm, fatura e shpronësimeve do të ishte 800 miliardë lekë, tarifë e papërballueshme nga buxheti i shtetit.

Drejtoresha e AKKP-së ka disa argumente kundër dekretit dhe argumentimit të presidentit për ligjin e pronave. Ndërkohë, në Gjykatën e Strasburgut janë pezull 399 dosje, fatura financiare e të cilave arrin deri në 50 milionë euro. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nuk do të bëjë asnjë veprim, deri në momentin që Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim.

Cilat janë argumentet kundër dekretit të presidentit?

Sipas relacionit të presidentit, ligji i ri i pronave ishte super antikushtetues dhe nuk kishte asgjë që të përputhej me Kushtetutën brenda rregullimeve që ka bërë. Unë kam për detyrë të sqaroj se këto pretendime, të paktën në aspektin e qeverisë dhe të punës që ka bërë Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për të arritur deri në hartimin e këtij projektligji, nuk qëndrojnë. Një nga elementët që theksohet në relacion është fakti se Agjencia nuk ka marrë asnjë nga masat apo hapat e përcaktuar në planin e veprimit, një plan që qeveria e miratoi në prill të vitit 2014, ku mori përsipër që të zbatonte të gjitha rekomandimet e vendosura nga “Manushaqe Puto” në vendimin-pilot.

Si ka lindur historia? Si e mori iniciativën qeveria për të krijuar një ligj të ri?
Në 25 vite, procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave jo vetëm nuk u mbyll, por krijoi një amulli shumë të madhe në këtë çështje, konflikte të pazgjidhura dhe një paketë ligjesh që ndryshonin njëri-tjetrin, duke e fragmentarizuar shumë procesin, i cili, i parë në tërësi u kthye në një sistem që nuk rregullonte asgjë dhe askush nuk mund të ngrinte bazat për një rregullim të shëndoshë të këtij procesi. Në vitin 2011, qeveria dërgoi në Strasburg një plan veprimi për të marrë përsipër rregullimin e çështjes së kthimit dhe kompensimit të pronave, ngritjen e një sistemi efektiv që të realizonte mbylljen e procesit. Kjo u bë për shkak të shqetësimit që ngriti Gjykata e Strasburgut në atë kohë, pasi që nga viti 2004 e deri në 2011-ën, numri i çështjeve që trokisnin në Gjykatën e Strasburgut sa vinte dhe rritej. Plani i veprimit, merrte masa dhe detyra për t’u zbatuar, dhe ato nuk ndryshojnë shumë nga plani i veprimit që paraqiti qeveria në vitin 2014. Por, faktikisht plani i veprimit 2011 nuk u zbatua nga qeveria e kaluar. Gjithsesi, në korrik të vitit 2012, Strasburgu arriti të merrte një vendim me një projekt- pilot, dhe duhet theksuar se janë të rralla rastet kur kjo gjykatë merr vendime- pilot për një shtet. Ky ishte një rast shumë i mirë për shtetin, i cili duhej shfrytëzuar. Gjykata theksonte se të gjitha kërkesat e depozituara deri para hyrjes në fuqi të vendimit “Manushaqe Puto” do të shqyrtohen ende në gjykatë, por do të pezullohen të gjitha kërkesat e reja që pranohen në gjykatë dhe nuk do të nisë shqyrtimi i tyre për 18 muaj. Kjo ishte një kohë e nevojshme që qeveria të merrte masat. Afati 18-mujor përfundonte në mars të vitit 2014, ndërkohë që pasi erdhi në pushtet qeveria aktuale në shtator dhe u njoh me këtë problematikë, pa se situata ishte alarmante dhe nëse nuk do të merrej një masë shumë e fortë në këtë fushë, 400 aplikimet dhe pretendimet e çuara në këtë gjykatë kapnin një shifër 500 milionë euro.

Cila ishte detyra?

Të merrej parasysh çështja “Manushaqe Puto”, e cila kishte rreth 15 rekomandime për shtetin shqiptar dhe të mund t’i zbërthenin në një plan veprimi, i cili ishte praktikisht ai i vitit 2014, që qeveria e miratoi me VKM dhe e dërgoi në Strasburg. Nga ky moment, AKKP-ja nuk ka bërë gjë tjetër, veçse të gjitha planet e veprimit i ka zbatuar. Fillojmë me një nga kërkesat e “Manushaqe Putos”, e cila ka qenë një shifër përfundimtare e numrit të vendimeve administrative dhe gjyqësore të të gjithë procesit, që nga viti 1993 kur ka filluar. Hapi i parë ishte krijimi i një regjistri elektronik, të cilin ne e kemi krijuar, duke marrë çdo dosje që kishim në arkiva që nga viti 1993. Jo vetëm kaq, por grumbulluam të gjitha dosjet që kishin në përmbajtje të tyre njohje pronësie, duke krijuar arkivën e vetme për kthimin dhe kompensimin e pronave. Filloi përpunimi i të dhënave, duke krijuar një regjistër të madh, me të dhënat e sakta e të detajuara. Në total rezultoi se janë 26.123 ish-pronarë që presin të kompensohen.

Të gjitha këto vendime janë të detajuara në bazën e të dhënave të AKKP-së, dhe në bazë të tyre, përderisa çdo dosje kishte llojin e tokës në momentin e shpronësimit, zërin kadastral sot, zonën kadastrale ku është pozicionuar, ne kemi dhe çmimet përkatëse sipas hartës së vlerës së pronës, fatura sigurisht që dihet, por nuk është bërë publike. Fatura e kompensimit, mbështetur në zërin kadastral sot të pronave dhe në çmimet përkatëse të hartës së vlerës që ka qenë në fuqi në vitin 2014, kapte një shifër prej 800 miliardë lekësh, ndërsa fatura e kompensimit, bazuar në zërin kadastral, në momentin e shpronësimit, kapte vlerën 200 miliardë lekë. Në këtë kuptim, kjo shifër ishte e papërballueshme dhe rekomandimi i “Manushaqe Puto” që thoshte se vendi brenda një afati të arsyeshëm dhe brenda një shpërblimi të drejtë, duhej të merrte masa për ta përmbyllur procesin e kompensimit të pronave. Baza jonë e llogaritjes për një afat 10-vjeçar është një periudhë e arsyeshme, edhe pse ne mund ta çonim 20 apo 30 vjet. Në kushtet e zhvillimit që kemi, na bëri që të shkonim në këtë skemë, e cila bazohet në origjinën e pronës në momentin e shpronësimit.

Ky është një rekomandim që ne e kemi marrë nga disa ekspertë. Në fakt, vende të ndryshme të rajonit kanë përdorur formula të ndryshme dhe zgjidhje të ndryshme, por shumë të përafërta me vendin tonë. Për shembull, Maqedonia ka një zgjidhje pothuajse identike. Ka pasur shtete të tjera që e kanë zgjidhur me dëmshpërblime të pronarëve, por gjithsesi zgjidhjet kanë qenë të ndryshme. Ndërkohë, Rumania ka dhënë një zgjidhje, ku kompensimi për ish-pronarët ishte i kufizuar deri në masën 16 për qind të vlerësimit të plotë. Këto nuk janë parime që shprehin kundërshtimin me normat e vendosura nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Në çdo rast, Gjykata thekson për të gjitha shtetet, se kërkohet një afat i arsyeshëm dhe një shpërblim i drejtë. Shpërblimi i drejtë sipas praktikës gjyqësore i korrespondon masës që shteti ka mundësi të paguajë. Dua t’i bëj të ditur publikut, se argumentet e presidentit që kthejnë mbrapsht këtë ligj, nuk qëndrojë. Është fat që ky ligj po shkon në Gjykatë Kushtetuese dhe merr edhe një herë një shqyrtim nga një organ që do të vendosë mbi kushtetutshmërinë. Në rast se nuk është esin që të krijojmë reforma që bien në kundërshtim me Kushtetutën.

Ç’do të ndodhë, do fillohet operimi me ligjin e ri apo do të prisni vendimin e Gjykatës Kushtetuese?
Ju e dini shumë mirë që ligji ka detyrim të plotësohet me akte nënligjore, nuk ka ndodhur zakonisht që ligji të hyjë në fuqi sapo botohet. Ka nevojë për akte nënligjore, siç është ajo e krijimit të Agjencisë së Trajtimit të Pronave.

Kur do të nisë aplikimi?

Kjo do të varet nga momenti që do ta dërgojë presidenti në Kushtetuese. Nëse nuk e dërgon presidenti, do ta dërgojnë grupet e interesit. Varet nga dita që do ta çojnë në Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese ka fatet e veta për të shqyrtuar pranimin e kërkesës; në këtë kuptim, ajo do të hyjë në një procedurë që është në diskrecionin e Gjykatës Kushtetuese se ç’do të vendosë për ligjin. Në rast se Gjykata Kushtetuese nuk e pezullon ligjin, ne do të vazhdojmë procedurat e punës, sepse kemi një ligj në fuqi. Në rast se gjykata vendos pezullimin, këtu ngrihet aplikimi, ne do të presim vendimin, ditën që do të merret vendimi. Unë dua të bëj me dije një gjë: Ka pasur shumë turbullira në mënyrën si është pasqyruar kjo gjë nga njerëzit me zë që janë marrë me këtë ligj. Është thënë që nuk dallohet fondi për ALUIZNI-n nga ai për kompensimin. Dua të bëj me dije që ligji ka një aneks, ku në çdo pikë është parashikuar një masë fondi që do t’i dërgohet Agjencisë së Trajtimit të Pronës. Sot në llogarinë e AKKP-së është një fond prej 2.4 miliardë lekësh për pronarët e vjetër. Ndërsa fondi për kompensimin e pronave të zënë nga ndërtimi pa leje është tjetër fond. Presim një shtesë fondi në qershor dhe bëhen 3 miliardë lekë, që do të shpërndahen brenda këtij ligji në rast se ligji nuk pezullohet. Në rast se në 8 vitet e fundit janë dhënë 1.4 miliardë lekë, vetëm në vitin e parë do të jepen 3 miliardë lekë, dhe kjo është një sipërmarrje shumë e madhe. Ngrirja që mund t’i bëjë gjykata këtij procesi, do të bëjë të paprekshme 2.4 miliardë lekë që nuk i marrin as pronarët dhe nuk mund të përdoren as nga buxheti.

Cilat prona do të trajtohen të parat?
Do të trajtohen të gjitha pronat. Në rast se në 8 vite është trajtuar vetëm zëri truall, do të hyjnë në proces të gjithë zërat kadastralë. Afatet që ka vendosur “Manushaqe Puto” duhet të jenë statutore, sipas Strasburgut. Ky ligj përcakton për herë të parë afat prekruziv, që nuk mund të shtyhen dot, 6 muaj regjistri, nuk mund të shtyhet tre vjet shqyrtimi, 10 vjet përfundimi, janë afate të pandryshueshme! Është vendosur një afat 3-vjeçar për vlerësimin, por vlerësimi do të nisë që vitin e parë, dhe do të thotë që vitin e parë do të ketë kompensim. Parimi i sigurisë juridike nuk cenohet. Në rast se janë dhënë 48 mijë vendime, asnjëri prej tyre nuk do të preket, nuk do t’i preket ligjshmëria. Ne do të bëjmë vetëm vlerësim ekonomik, që do t’i japë një çmim çdo vendimi dhe një sasi parash, që do të shkojë ose si kompensim në para ose si kompensim fizik. Deri tani nuk është shpërndarë asnjëherë fond fizik. Ne kemi 23 mijë hektarë të verifikuara deri tani.

Sa është fatura financiare për kompensimin e pronarëve? Fatura financiare është 200 miliardë lekë. 200 miliardë lekë në 10 vite do të jenë 50 miliardë lekë, që do të vërë në dispozicion buxheti; si do të mbulohet kjo diferencë?
Është një afat 10-vjeçar për shpërndarjen e fondit, është ngritur me ligj komisioni ndërinstitucional, që do të ketë detyrën që çdo vit të përmbushë me fond fizik nevojat që ka agjencia për kompensimin fizik. Peshën më të madhe do ta marrë kompensimi fizik. Është edhe rekomandimi i Strasburgut që të shfrytëzohet fondi fizik. Gjykata e Strasburgut pret ligjin me paketën për implementimin e tij, sepse ligjin si ligj e kanë pranuar. Afati është në 30 janar; sot avokatja e shtetit niset në Strasburg me gjithë paketën. Do të çojmë edhe një paketë që na vendos në pozita pune mbi të cilat do të monitorohemi.

Ç’do të bëhet me fondin e vitit 2015?
Fondi i 2015-ës është i padjegur; 400 milionë lekë do të shpërndahen bashkë me fondin e këtij viti, pasi të hyjë ligji në fuqi.

Çfarë rendi ndiqet për pagesat e faturave të kompensimit të pronarëve?
Është vendosur parimi i rendit kronologjik, nga vendimi më i vjetër. Do të jetë një aplikim i vazhdueshëm gjatë gjithë vitit, pa caktuar afate.

Si do të kryhet pagesa për pronarët, do të jetë me këste?
Kemi dërguar në Strasburg për shqyrtim 3 variante. Me këste është njëri nga variantet. Unë personalisht kam përshtypjen se ndarja me këste do të jetë një sasi e vogël vjetore që pronarët do të marrin dhe s’do të jenë të kënaqur. Kemi dhe një propozim tjetër, ku kemi thënë se trualli është më shtrenjtë, dhe kemi propozuar që toka truall deri në një farë limiti të jetë me kompensim financiar. Ndërsa pronarët e kullotave etj., të marrin kompensim fizik. Presim mendim.

Si do të veprohet me vendimet e Strasburgut?
Vendimet e Gjykatës së Strasburgut ekzekutohen nga Ministria e Financave. Ne nuk kemi aplikuar asnjëherë me vendimet e Strasburgut.

Argumentet e përmbledhura të relacionit të Presidentit të Republikës në dekretin e tij, për kthimin për rishqyrtim në parlament të ligjit 133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit”
a) Skema e kompensimit sipas këtij ligji sa i takon procesit të përfundimit të kompensimit, jo vetëm që nuk u përgjigjet kërkesave të vendimit-pilot “Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, por ndërkohë bie ndesh me vendime të tjera të GJEDNJ referuar të drejtës së pronës, si dhe bie ndesh me parimin kushtetues të sigurisë juridike dhe parimin e barazisë para ligjit të elaboruar nga Gjykata Kushtetuese në jurisprudencën e saj në vite.
b) Skema e ofruar përmes këtij ligji për trajtimin e dosjeve të patrajtuara apo ato që do të depozitohen rishtazi pas hyrjes në fuqi të ligjit, bie ndesh me parimin kushtetues të sigurisë juridike, të barazisë para ligjit dhe të së drejtës së ankimit.

Arsyeja 1. Rezulton se, kërkesat e GJEDNJ-së nuk janë plotësuar dhe skema e ofruar është në kundërshtim me jurisprudencën në vite të GJEDNJ-së lidhur me çështjen e pronës në Shqipëri.

Arsyeja 2: Në vendimin më të fundit, “Sharra dhe të Tjerë kundër Shqipërisë”, GJEDNJ sërish ka gjetur shkelje të nenit 13, dhe ka arritur në përfundimin se kompensimi i pronës në të tilla raste, ashtu si edhe në çështjen “Vrioni kundër Shqipërisë”, kur shteti nuk ka mundësi të kthejë pronën, njeh kompensimin, i cili i korrespondon vlerës më të fundit të pronës. Gjithashtu, Gjykata ka konsideruar se kërkesat e paraqitura kohë më parë nuk mund të llogariten referuar hartës së vlerës së vitit 2014, pasi do të krijonte një pabarazi mes palëve, ndërkohë që harta e vlerës së vitit 2014 nuk reflekton vlerën e tregut, dhe në shumë qytete kryesore, në veçanti në Tiranë, harta e vlerës është ulur ndjeshëm.

Arsyeja 3: Pavarësisht kërkesave të herëpashershme të Komitetit të Ministrave dhe të Gjykatës, Qeveria ka dështuar të japë një shifër të saktë të vendimeve përfundimtare administrative dhe gjyqësore, duke përcaktuar dhe sipërfaqen, dhe më pas faturën e saktë, financiare duke iu referuar një harte vlere që reflekton çmimin e tregut. Qeveria zgjidh një problem pa të dhëna të sakta, dhe në përfundim zgjidhja do të jetë e gabuar, pavarësisht dëshirës.

Arsyeja 4: Referuar jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, parimi i sigurisë juridike, përfshin krahas qartësisë, kuptueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së sistemit normativ, edhe besimin te sistemi juridik, pa marrë përsipër garantimin e çdo pritshmërie për mosndryshim të një situate të favorshme ligjore. Përveç shkeljes së parimit të sigurisë juridike, përmes këtij rregullimi shkelet dhe një parim i rëndësishëm i barazisë para ligjit, referuar nenit 18 të Kushtetutës.

Arsyeja 5:
Ndryshe nga legjislacioni i mëparshëm dhe ndryshe nga sa është orientuar përmes vendimit-pilot, Qeveria i ka kushtuar vëmendje kompensimit financiar, referuar nenit 8 të ligjit. Mbetet e paqartë dhe e dyshimtë forma e kompensimit fizik referuar neneve 12,13, 14 të ligjit, për sa kohë Qeveria ka dështuar në procesin e kompensimit fizik. Ligji në nenin 21 të tij përcakton të drejtën e subjektit të shpronësuar për t’u kompensuar në pronën e tij, ndryshe nga sa përcaktonte ligji i mëparshëm, që njihte të drejtën e kthimit të pronës dhe kompensimit të pronës në momentin e dhënies së vendimit. Në këtë qasje, Qeveria dhe si rrjedhojë legjislatori ka krijuar një pasiguri juridike në lidhje me pritshmëritë e subjektit të shpronësuar, i cili pret të kompensohet në tokën e vet.

Arsyeja 6: Ligji nr.133/2015, në nenin 15 të tij, “Afatet e vlerësimit financiar të vendimeve për kompensim”, cenon sërish sigurinë juridike dhe përzgjat me ligj procesin e kompensimit të pronave. Nga qershori 2013 kur doli Rezoluta e Ndërmjetme, deri më tani, Qeveria do të duhej të kishte arritur të nxirrte faturën e plotë financiare, ndërkohë që kjo Agjenci në dy vjet nuk ka nxjerrë asnjë vendim sa u takon dosjeve të patrajtuara, duke cenuar procesin e rregullt ligjor, referuar nenit 6/1 të KEDNJ-së. Sipas këtij ligji, Agjencia është e mbrojtur nga ligji nëse vazhdon të mos bëjë asnjë kompensim të pronarëve gjatë tre vjetëve.

Arsyeja 7: Qeveria nëpërmjet Drejtorit të Agjencisë indirekt do të shfuqizojë vendimet e KKKPR dhe AKKP të cilat janë bërë përfundimtare në pjesën sa i takon kompensimit, në kundërshtim edhe me qëndrimin e mbajtur nga Gjykata Kushtetuese në jurisprudencën e saj.

Arsyeja 8: Kjo skemë është vënë në dyshim nga ana e Sekretariatit të Komitetit të Ministrave në vlerësimin e bërë nga ana e tij, ndërkohë që Komiteti i Ministrave në mbledhjen e tij më të fundit në dhjetor 2015, i ka kërkuar Qeverisë që t’i vihen në dispozicion të gjitha aktet nënligjore, për të bërë vlerësimin e plotë të efektivitetit të skemës së kompensimit të pronarëve, dhe ka kërkuar nga ana e autoriteteve të bëhen sqarime në lidhje me hartën e vlerës që do të përdoret për kompensimin e pronarëve.

Arsyeja 9: Ligji në nenin 29 të tij bie ndesh me nenin 43 të Kushtetutës sa i takon të drejtës së ankimit. Gjykatat e Lartë është gjykatë e ligjit, dhe si e tillë nuk mund të investohet në fakte të çështjes. Në rastin konkret, për sa kohë gjykata shqyrton çështje të themelit, është e domosdoshme që pala të rezervojë të drejtën ta apelojë atë vendim në një shkallë më të lartë. Gjykata e Lartë është gjykatë e ligjit, dhe si e tillë nuk mund të investohet në fakte të çështjes

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: