GREQI- Burg përjetë shqiptarit që vrau një vit më parë gruan e tij. Krimi i rëndë ndodhi në 6 janar të 2016 në Greqi.

Pavarësisht se Klodian Lesi shprehu pendesë për vrasjen e bashkëshortes së tij greke, Lela Mavromatis, 34-vjeçari nuk i shpëtoi dënimit përjetë. Lesi gjatë seancave gjyqësore shprehu pendesë dhe u kërkoi familjarëve të viktimës falje, ndërsa pohoi se nuk kishte qenë i vetëdijshëm për atë çka kishte bërë. Ngjarja e rëndë ndodhi në banesën e çiftit në Halkidiki.

“Nuk e di se çfarë kam bërë. Uroj që kjo që më ndodhi mua mos t’i ndodh askujt. Ajo nuk pranoi të më jepte fëmijët dhe më tha që të rregulloj vetë jetën time, siç kishte bërë ajo me jetën e saj. Mua mu errën sytë kur më tha se nuk kam për të parë më fëmijët. Po të kisha menduar me kthjelltësi, nuk do të arrija këtu ku arrita. Tashmë jam penduar shumë”, rrëfeu ai në sallën e gjyqit.

Mediat greke raportuan se Lesi kishte rrëmbyer një thikë dhe e kishte goditur disa herë bashkëshorten, duke i shkaktuar asaj vdekjen. Fill pas kësaj, ai mori me vete djalin e vogël, vetëm 4 vjeç dhe u arratis për 18 ditë, por më pas u arrestua.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb