TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili ka reaguar në lidhje me deklaratat se në Shqipëri do të ngrihet një qendër koordinimi për luftëtarët e kthyer nga ISIS. Vasili thotë se këtë gjë duhet ta vendosë parlamenti jo kryeministri. Ai ngre disa pikëpyetje duke nisur nga mungesa e transparencës sipas tij tek risqet për sigurinë në vend.

Deputeti i LSI-së shprehet më tej se Kryeministri nuk është pronar i Shqipërisë, ndaj vendimet që shtrihen ndër vite me të gjithë pasojat negative dhe pozitive të tyre që bien mbi shqiptarët, duhet t’i marrë vetëm parlamenti, i cili është i vetmi pushtet që ka detyrën kushtetuese të vendosë pasi i gjithë populli përfaqësohet aty.

STATUSI I VASILIT
Qendër koordinimi për ISIS? Këtë duhet ta vendosë Parlamenti jo Kryeministri.
Nga kryeministri i Bullgarisë shqiptarët marrin vesh që do të ngrihet një qendër koordinimi për luftëtarët e kthyer nga ISIS.
Sikurse për muhaxhedinët e Iranit përsëri vetëm Shqipëria u vetëofrua për një nismë të re sërish delikate me të njohura dhe të panjohura për të cilat as shqiptarët as dhe as parlamenti nuk dinë asgjë.
Po përse vendet e tjera nuk i pranojnë këto nisma?
A është Shqipëria një vend, që shkëlqen lidhur me sigurinë më shumë se vendet e tjera?
Trafiqet dhe krimi i organizuar në rritje në Shqipëri a e ulin më tej sigurinë?
A janë dakord shqiptarët me pranimin vetëm nga Shqipëria e këtyre nismave të cilave vendet e tjera, me nivele të larta sigurie dhe shumë më të fuqishëm ekonomikisht u shmangen?
Përse gjithmonë qeveria vepron pa transparencë dhe pa informuar shqiptarët për çfarë do të ndodhë në atdheun e tyre?
Përse nuk shtrohen për diskutim në parlament këto nisma kaq delikate për të qartësuar anët negative dhe pozitive të tyre pasi vendimet kanë të bëjnë me shqiptarët?
Kryeministri nuk është pronar i Shqipërisë, ai është thjesht administratori i radhës së qeverisë, ndaj vendimet që shtrihen ndër vite me të gjithë pasojat negative dhe pozitive të tyre që bien mbi shqiptarët, duhet t’i marrë vetëm parlamenti është i vetmi pushtet që ka detyrën kushtetuese të vendosë pasi i gjithë populli përfaqësohet aty.
“Në Shqipëri do të bëhet një qendër koordinimi për luftëtarët që kthehen nga ISIS në territorin e Ballkanit”, u shpreh Kryeministri i Bullgarisë Boyko Borissov, në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Rama.

Vasili fb

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb