TIRANE– Qeveria apeloi sipërmarrjen të kontribuojë me ndihma konkrete për të prekurit nga përmbytjet që përfshinë të gjithë vendin tonë javën e shkuar.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj si dhe ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato gjatë një takimi të mbajtur në Tiranë me sipërmarrës nga i gjithë vendi i bënë apel atyre të ofrojnë ndihma për të prekurit nga përmbytjet.

Ahmetaj dhe Qato informuan se nga ka nisur puna për evidentimin e dëmeve dhe dëmshpërblimin e çdo qytetari të prekur.

“Nga sot në bashkëpunim me prefektët ka nisur puna për evidentimin e dëmeve, por ndihma juaj duke nisur nga ushqimet e deri tek veshmbathjet do të ishte mjaft e nevojshme”, deklaroi Qato. Të njëjtin apel përsëriti edhe ministri Ahmetaj.

Reshjet e dendura që përfshinë të gjithë vendin javën e shkuar shkaktuan përmbytje në jug të vendit.

Tashmë moti ka ardhur drejt përmirësimit dhe situata është qetësuar. Sipas Komitetit të Emergjencave 80% e familjeve të evakuuara janë kthyer në shtëpitë e tyre.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: