TIRANË- Në ditët e fundit të pushimeve të politikës, analisti Andi Bushati ka qenë në studion e News24 për komentuar situatën dhe për të sjellë një parashikim të asaj çfarë pritet të ndodhë, tashmë që socialistët kanë marrë drejtimin e plotë të qeverisë.

Bushati foli edhe për opozitën PD-LSI, duke i kritikuar të dyja palët për qëndrime jo të përbashkëta në interes të kauzave të qytetarëve. Ai tha se PD është bërë gati qesharake me heshtjen ndërsa LSI bërtet më shumë se sa duhet.

Në lidhje me suksesin e këtij mandati, Bushati u shpreh pesimist, raporton “BalkanWeb”. Madje ai përcolli edhe një parashikim për 4 vitet e ardhshme duke thënë se do të jenë më të këqija se këto 4 vite të kaluara.

Çfarë e vendos suksesin e kësaj qeverie pas 4 vitesh?
Është e vështirë. Në 4 vitet e para Rama premtoi 300 mijë vende pune, dështoi dhe prapë fitoi. Premtoi uljen e kriminalitetit, dështoi dhe prapë fitoi. Premtoi se do hiqte kazinotë dhe dështoi e prapë fitoi. Është shumë e vështirë ta masësh Ramën me objektivat që i ka vënë vetes.

Prisni surpriza në fillim shtatori?
Besoj që nga Rama nuk ka surpriza. Do jetë e njëjta lëvizje inercike si 4 vitet e qeverisë së kaluar. Trishtimi më i madh është me opozitën sepse kemi 2 lloj opozitash. Opozitën zyrtare të PD-së që sot është shndërruar gati qesharake dhe opozitën e LSI që ndoshta bërtet më shumë se ç’duhet. Është shumë shpejt që LSI brenda një nate nga partner i koalicionit të kthehet në kritik të qeverisjes. Nëse nga qeveria dhe socialistët do kemi të njëjtën rrëshqitje me inerci, interesante do të jetë se si do jetë pozicionimi i opozitës.

A jeni optimistë për 4 vitet e ardhshme për ekonominë?
Parashikoj një gjë që nuk do doja që të ndodhte. Këto do jenë 4 vite më të këqija se vitet paraardhëse. E para se në historinë tonë të shkurtër kemi mësuar se mandati i dytë është më degjenerativ se i pari. Shikoni Berishën. Aq më pak dëgjojnë, aq më pak kanë lidhje me elektoratin. Ky do jetë një 4-vjeçar fatkeqësisht më i keq se i pari.

Ju gjykoni se opozita PD-LSI duhet të bashkëveprojnë?
Fillimi i kësaj vere kishte një situatë absurde ku dy opozitat grindeshin me njëra-tjetrën se kush ishte opozita. Më e rëndësishme se sa taktikat këtu është strategjia. Mendoj se Rama nuk fitoi prej timonit dhe tepsisë. Ai fitoi sepse duke pasur pushtet nuk kishte asnjë alternativë kredibël.

PD duhet të ngrejë një alternativë kredibël. PD nuk mund t’i thotë Ramës se vjedh votat kur vjedh vota brenda partisë së vetë. Nuk mund t’i thotë Ramës mos u sill si monark dhe vetë Basha sillet si i tillë brenda partisë. Më e rëndësishme është ngritja e një fryme drejt kauzave të përbashkëta që u interesojnë qytetarëve. Këtë nuk e shikoj në asnjërën palë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb