Kreu i PD-së, Lulzim Basha i është përgjigjur sot deklaratës së Maja Koçijançiç në lidhje me protestën e PD-së, por ka komentuar gjithashtu edhe deklaratën e Ilir Metës.

I pyetur për përgjigjen e dhënë nga Ilir Meta se “i mbështet protestat paqësore, por jo ultimatumet”. Basha tha se “nuk e dinte çfarë kishte thënë Ilir Meta, por tani kishin mbetur vetëm dy rrugë. Rruga e parë është një refkletim, një rrugë evropiane që me anë të një qeverie teknike të shkojmë drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Rruga tjetër është ajo e përballjes. Do të jetë opozita dhe qytetarët që do t’i tregojnë vendin atyre që do të kërkojnë të mbajnë zgjedhje fasadë.”

Por a do të hyjë PD në zgjedhje në këto kushte? Kryedemokrati u përgjigj duke thënë: “Zgjedhje pa opozitën mbahen vetëm në vende diktatoriale. Në Shqipëri, zgjedhjet ose do të jenë me opozitën, ose nuk do të ketë zgjedhje. Zgjedhje fasadë dhe me kriminelë nuk do të ketë” – tha Basha.

Duke folur në “Top Story” me Sokol Ballën direkt nga protesta, Basha u shpreh ndër të tjera se: “Nuk e kam dëgjuar këtë deklaratë (Kocijancic), por me duhet të them se ka disa BE. Ka BE që dënon drogën, dënon korrupsionin dhe kërkon reformë në drejtësi. Po ashtu siç ka BE që injoron korrupsionin, drogën etj. Unë i referohem mbështetjes nga rezoluta e Partive Popullore Europiane dhe nga raportet e Bundestagut”.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: